Tjetër fitore për kryeministren e parë grua në Japoni, partia e Sanae Takaichit mund opozitën në zgjedhje dhe fiton 2/3-tën e parlamentit

Partia në pushtet e Japonisë, e udhëhequr nga Kryeministrja Sanae Takaichi, fitoi lehtësisht në zgjedhjet e parakohshme të ditës së sotme.

Transmetuesi kombëtar raportoi se Partia Liberal-Demokrate (LDP), së bashku me aleatin e saj Partinë Ishin, siguruan më shumë se dy të tretat e vendeve në Dhomën e Ulët, deri në 328 nga 465 vende.

Kjo shumicë e rritur i jep LDP-së mundësinë të anashkalojë Dhomën e Lartë, ku partia nuk ka shumicë.

Kryeministrja e parë femër e vendit vendosi të shkojë në zgjedhje për të rinovuar mandatin e saj, vetëm katër muaj pasi mori drejtimin e LDP-së. Ajo madje ishte zotuar të jepte dorëheqjen nëse partia e saj nuk arrinte të siguronte shumicën, duke i bërë zgjedhjet e parakohshme një rrezik të madh.

Popullariteti i vetë Takaichi-t ka ofruar ndihmë të konsiderueshme, pasi vlerësimet e miratimit të qeverisë së saj janë ende mbi 70%.

Është një sukses që bie ndesh me dy paraardhësit e saj, nën të cilët partia humbi shumicën parlamentare për shkak të skandaleve të korrupsionit dhe rritjes së shpenzimeve.

Në vitin 2024, LDP humbi shumicën në të dyja dhomat e parlamentit dhe aleanca e saj dhjetëvjeçare me partinë Komeito u shemb. Komeito madje bashkoi forcat me Partinë Kushtetuese Demokratike të Japonisë për të formuar bllokun më të madh të opozitës në parlament. Në këtë kontekst, Takaichi dhe LDP u përballën me një opozitë më të bashkuar se në të kaluarën.

BBC kujton se aleancat e udhëhequra nga LDP kanë qeverisur Japoninë për pjesën më të madhe të historisë së saj të pasluftës.

Zgjedhjet u mbajtën në mot të keq, me anulime të shërbimeve të trenave dhe trageteve. Është e rrallë që zgjedhjet të mbahen në dimër në Japoni hera e fundit ishte 36 vjet më parë.


Shtuar 8.02.2026 17:34