Kompania kineze ByteDance, e cila e ka në pronësi TikTok-un, ka thënë se nuk e ka ndër mend ta shesë aplikacionin e famshëm, pasi Senati amerikan e miratoi një ligj sipas të cilit TikTok-u duhet të shitet, ose do të ndalohet në Amerikë.
“ByteDance nuk ka plane për ta shitur TikTok-un”, tha kjo kompani në llogarinë e vet zyrtare në Toutiao, një rrjet social të cilin e ka në pronësi gjithashtu.
Në fillim të kësaj jave, TikTok-u tha se do të ankohet në gjykatë kundër ligjit “jokushtetues”.
Njoftimi nga ByteDance vjen si përgjigje e një artikulli në media se ajo ishte duke e shqyrtuar shitjen e mundshme të TikTok-ut në SHBA.
“Raportimet në mediat e huaja për shitjen e TikTok-ut nga ByteDance janë të pavërteta”, tha kjo kompani.
Presidenti amerikan, Joe Biden, e nënshkroi të mërkurën ligjin i cili do ta ndalojë TikTok-un në Shtetet e Bashkuara, nëse pronari i saj ByteDance nuk e shet atë brenda një viti.
Ligjvënësit nga të dyja partitë në SHBA – si dhe zyrtarët ligjorë dhe të inteligjencës – kanë shprehur shqetësime se autoritetet kineze mund ta detyrojnë ByteDance-in t’ia dorëzojë të dhënat e më shumë se 170 milionë amerikanëve që e përdorin TikTok-un.
Shqetësimet e tyre burojnë nga një sërë ligjesh kineze të sigurisë kombëtare – të cilat i detyrojnë organizatat ta ndihmojnë vendin në grumbullimin e të dhënave. ByteDance mund t’i nënshtrohet këtij ligji kinez.
TikTok-u i ka hedhur poshtë pretendimet se mund të përdoret si mjet i Qeverisë kineze.
Kjo kompani ka thënë se kurrë nuk i ka ndarë me autoritetet kineze të dhënat e përdoruesve amerikanë dhe se nuk do ta bëjë këtë edhe nëse i kërkohet.