Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zhvilloi një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump, gjatë së cilës diskutuan për forcimin e përpjekjeve të përbashkëta SHBA-BE ndaj Rusisë, përmes rritjes së presionit ekonomik.
Sipas Von der Leyen, Bashkimi Evropian po përgatit paketën e 19-të të sanksioneve, e cila do të fokusojë goditjen në kriptomonedhat, bankat dhe sektorin e energjisë.
“Ekonomia e luftës në Rusi, e mbështetur nga të ardhurat e karburanteve fosile, financon gjakderdhjen në Ukrainë”, shkroi presidentja e Komisionit në një postim në rrjetin X.
Ajo shtoi se Komisioni Evropian së shpejti do të propozojë përshpejtimin e ndalimit gradual të importeve të karburanteve fosile nga Rusia, si pjesë e përpjekjeve për të goditur drejtpërdrejt burimet financiare të Kremlinit.