Tani Biden e ka më e lehtë të rikandidojë: Trump u dobësua, por partia Republikane nuk di se si ta heqë qafe

Nga Giuseppe Sarcina “Corriere della Sera”

Partia Demokratike në SHBA i ka humbur në përgjithësi zgjedhjet e mesit të mandatit, por nuk është dërrmuar plotësisht. Siç pritej, Joe Biden del i mavijosur nga zgjedhjet e së martës. Tashmë do të duhet të negociojë me opozitën në Kongres, që ka rifituar shumicën.

Por presidenti aktual nuk u “poshtërua” siç kishte shpresuar Donald Trump. Pasoja më logjike politike, është se tani Biden do të jetë në gjendje të vazhdojë me strategjinë e tij me dy nivele.

Nga njëra anë, ai duhet të kërkojë me më shumë bindje një marrëveshje me segmentin e moderuar të republikanëve për prioritetet madhore të vendit: inflacioni, energjia, ndryshimet klimatike, dhe ndihma për Ukrainën.

Nga ana tjetër, ka mundësi që të rishpallë kandidimin e tij në zgjedhjet e vitit 2024, duke ua mbyllur gojën pretendentëve të tjerë nga radhët e demokratëve. Paradoksalisht, panorama mund të jetë akoma më konfuze në kampin e fituesve.

Duke parë hartën e qarqeve, duket se kandidatët Trumpianë nuk kanë marrë aq vota sa parashikohej. Në fakt, sidomos në zgjedhjet për Kongres, shumë nga kandidatët ekstremistë janë mundur në shtetet e lëkundura, si Ohajo dhe Pensilvania.

Por mund të imagjinojmë se kjo nuk do t`i ndryshojë planet e Donald Trump. Më 15 nëntor ai do të shpallë kandidaturën e tij për Shtëpinë e Bardhë. E treta në radhë. Ky lajm merret tashmë si i mirëqenë në Uashington.

Në këto kushte është në dorën e udhëheqësve parlamentarë të Partisë Republikane, të vendosin se si ta menaxhojnë shumicën e mundshme në Kongres: 2 vjet sulme të pandërprera, dhe hetime parlamentare kundër Joe Biden?

Apo një legjislaturë produktive, për t’i treguar vendit se republikanët qeverisin më mirë sesa demokratët? Linja e parë është ajo e Trump; e dyta ekziston në letër, por kjo e fundit nuk ka ende një udhëheqës të njohur.

Në botën e konservatorëve, po zhvillohet prej muajsh një garë, ndonjëherë edhe shumë e ashpër, e cila të lë të kuptosh më mirë dinamikën e vitit 2016. Në atë kohë, establishmenti i Partisë Republikane u përpoq që ta frenonte ngritjen e bujshme të ish-ndërtuesit nga Nju Jorku.

Por ai nuk ishte në gjendje të gjente konsensusin mbi një kandidat të vetëm. Senatorët Marco Rubio (Florida) dhe Ted Cruz (Texas), donin të qëndronin në garë deri në fund. Trump i mposhti ata një nga një. Sot po propozohet sërish e njëjta skemë.

Udhëheqësit republikanë në Uashington, po mundohen të gjejnë një emër të përshtatshëm që mund të bllokojë rikthimin në garë në Donald Trump. Senatori kryesor i republikanëve Mitch Mcconnell, ish-zëvendëspresidenti Mike Pence dhe të tjerët, e cilësojnë Trump në mos një “puçist” siç mendojnë demokratët, një figurë edhe më toksike dhe përçarëse për vendin se sa ishte 8 apo 4 vjet më parë.

Problemi është se tani ashtu si edhe atëherë, është e vështirë të krijohet një bllok kompakt anti-Trump. Megjithatë, ka ende hapësirë politike dhe sociale për ta tentuar një manovër të tillë. Sondazhi i fundit i porositur nga NBC TV, tregon se 62 për qind e votuesve republikanë nuk identifikohen domosdoshmërisht me Trump.

Në janarin e vitit 2021, kjo përqindje ishte vetëm 46 për qind. Por pretendent është edhe udhëheqësi alternativ: guvernatori i Floridës Ron DeSantis, 44 vjeç, hiper-konservator, një kundërshtar i flaktë i abortit, i aftë në letër që të trashëgojë votat e bazës Trumpiane. DeSantis fitoi lehtësisht në Florida, duke u rikonfirmuar si guvernator.

A do të jetë ai drejtuesi i një koalicioni anti-Trump? Ish-presidenti e ka ndjerë tashmë rrezikun, duke i vënë DeSantis një nofkë nënçmuese:“Sanctimonious”, hipokrit, servil.

Megjithatë, edhe konkurrentët e tjerë të mundshëm duhet të bëjnë një hap prapa.

Lista është e gjatë: vetë Mike Pence, sërish Rubio, ish-sekretari i shtetit Mike Pompeo, ish-ambasadorja e SHBA-së në OKB Nikki Haley. Por është edhe një skenar tjetër që mund të funksionojë në favor të Trump.

Javët e ardhshme, Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, pritet të padisë ish-presidentin në lidhje me dokumentet e klasifikuara, të mbajtura ilegalisht në rezidencën e tij në Mar-a-Lago. Trump e ka bërë tashmë të ditur se do të mobilizojë mbështetësit e tij.

Ligjvënësit Trumpianë që mund të kryesojnë komitetet gjyqësore – si kongresmeni Jim Jordan dhe senatori Ron Johnson – kanë deklaruar se do të hetojnë FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë. Por si do të sillen republikanët e tjerë?

Ndoshta ata do t’i binden partisë për të mos u dhënë një avantazh demokratëve. Por në atë pikë, situata do të jetë më e ndërlikuar për t’ua shpjeguar votuesve se përse ish-presidenti nuk është i përshtatshëm për të qeverisur vendin. E komplikuar, por jo e pamundur, veçanërisht nëse hetimi mbi ngjarjet e 6 janarit do të përfundonte me një aktakuzë zyrtare ndaj Donald Trump.

/albeu.com


Shtuar 10.11.2022 10:12