SKENARI/ Si përballja midis Rusisë dhe Ukrainës mund të çojë drejt luftës totale

Nga Sarah Lain, Politico.eu

Për një vend që pretendon se nuk dëshiron të shkojë në luftë, sjellja e fundit e Rusisë ndaj Ukrainës duket shumë luftarake. Trupat ruse janë grupuar dhe po ndërtojnë një kamp të madh ushtarak në rajonin jugperëndimor të Voronezh, afër kufirit me Ukrainën.

Televizioni shtetëror rus po i përgatit rusët që të presin një sulm rus ndaj Ukrainës. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, paralajmëroi kohët e fundit se lufta e rifilluar në Ukrainë do të nënkuptojë shkatërrimin e vetë Ukrainës.

Javën e kaluar, nënkryetari i administratës presidenciale të Rusisë, Dmitry Kozak, njëherazi  negociatori kryesor për Ukrainën, përsëriti një mesazh të vjetër që nga viti 2014 që nëse do të jetë e nevojshme, Moska do të ndërhynte për të mbrojtur banorët e Donbasit.

Shumica e analistëve thonë se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht një pushtim të pashmangshëm, por shumë me shqetësues është fakti që synimet ruse janë të paqarta. Grumbullimi i trupave në kufirin me Ukrainën, ashtu si aneksimi i Krimesë, i jep Rusisë disa opsione në rast se do të dëshirojë që të përshkallëzojë veprimet. Presidenti rus Vladimir Putin, dëshiron pa dyshim që të ruajë një farë paparashikueshmërie, dhe tani që bota po e shikon, pasja e mundësive të tilla është shumë thelbësore.

Edhe pse nuk ka gjasa të ndodhë një luftë tërësisht “aksidentale”, ekziston gjithmonë rreziku i llogaritjeve të gabuara apo për rrjedhojë edhe i një reagimi të tepërt. Ndërsa tensionet po shtohen, po dështojnë të gjitha masat e ndërtimit të besimit që synojnë të mbajnë situatën nën kontroll.

Negociatat e Minskut të drejtuara nga OSBE-ja, kanë ngecur sërish. Masat shtesë të armëpushimit, mbi të cilat ishte rëna dakord në korrikun e vitit 2020, dhe që e stabilizuan situatën për disa muaj, po shkelen. Rusia ka injoruar në përgjithësi kërkesën për sqarime mbi veprimtarinë e saj ushtarake në kufi, të cilën Ukraina ia kërkoi në kuadër të Dokumentit të Vjenës.

Disa zyrtarë në Moskë, pretendojnë se Ukraina ka shtuar vetë tensionet, përmes një qasjeje më “armiqësore” ndaj Rusisë gjatë muajve të fundit. Deri më tani, ky është një ekzagjerim. Në fakt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka qenë i përmbajtur në retorikën e tij mbi situatën në Donbas dhe aktivitetin e fundit të rusëve në kufi.

Sigurisht, sanksionet e fundit ndaj oligarkut pro-rus dhe aleatit të Putinit Viktor Medvedchuk dhe bashkëpunëtorit të tij Taras Kozak, e kanë zemëruar Kremlinin, por Moska është relativisht e heshtur në reagimin e saj publik.

Ukraina ka  luajtur me njoftimin e saj mbi masat e armëpushimit, duke variuar nga gjuha mbi të cilën është rënë dakord në Procesin e Minskut, tek rregullat mbi përgjigjen ndaj zjarrit të palës kundërshtare, gjë e cila nuk e ka shtuar besimin. (Në fund, Kievi e korrigjoi veten).

Duhet të theksohet se as vetë Rusia nuk është e huaj për sjelljen e saj penguese. Disa i cilësojnë si provokuese dy strategji të miratuara kohët e fundit të Ukrainës: strategjia për “çlirimin dhe ri-integrimin e Krimesë”, dhe strategjia ushtarake e miratuar së fundmi. Që të dyja e përmendin shprehimisht Rusinë si një kërcënim.

Pavarësisht drejtimit të një fushate elektorale pro-paqes, Zelenskiy nuk ka qenë kurrë i qetë në lidhje me nevojën që Rusia t’i rikthejë Ukrainës Krimenë, apo në lidhje me kërcënimin që paraqet Rusia për integritetin territorial të Ukrainës.

Strategjia e tij mbi Krimenë përqendrohet më shumë tek të drejtat e njeriut dhe çështjet e drejtësisë dhe strategjia ushtarake merret më shumë duke përshkruar reformat që po ndërmerren lidhur me aspiratat e vendit për t’u anëtarësuar në NATO.

Megjithëse anëtarësimi në NATO i Ukrainës, është një vijë e kuqe absolute për Rusinë, aspirata të tilla ukrainase nuk janë ndonjë gjë e re dhe për pasojë nuk janë të befasishme – të dyja dokumentet vështirë se përbëjnë një thirrje apo motiv për luftë. Megjithatë, askush nuk mund të supozojë se si mund t’i interpretojë gjërat Moska.

Edhe në Moskë ka pasur zhgënjim në lidhje me faktin që Zelenskiy nuk ka zbatuar thjesht Marrëveshjet e Minskut. Këto të fundit bëjnë thirrje që Ukraina t’u japë të ashtuquajturve “republika” të mbështetura nga Rusia, të drejta të veçanta administrative, ndërsa i ri-integron ato gradualisht tek Ukraina.

Në teori kjo do të lejonte që Rusia të kishte një ndikim të përhershëm dhe të rëndësishëm në vend përmes të ashtuquajturave “republika”, por me Ukrainën që paguan për to në vend të Rusisë. Mungesa e qartësisë mbi qëllimin dhe strategjinë e Rusisë, e përzier me retorikën që të kujton atë të vitit 2014, do të thotë se tensionet po rriten.

Dhe ky është momenti kur mund të ndodhin llogaritjet e gabuara. Ekziston një vijë shumë e hollë midis parandalimit dhe asaj që interpretohet si veprim sulmues. Të gjithë po shohin se çfarë mund të bëjë Rusia, pa u shqetësuar shumë për hartimin e ndonjë plani kundërveprimi në rast se situata do të përshkallëzohej ndjeshëm.

Edhe ky aspekt e shton paparashikueshmërinë. Megjithëse është e paqartë se çfarë do të fitonte Moska nga përshkallëzimi i vërtetë i situatës në Donbas, është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se Kremlini ka interesat e veta dhe perceptimin e vet mbi kërcënimin. Dhe duhet të merret në konsideratë çdo skenar, madje edhe ato që mund të mos duken të mundshme./abcnews.al/


Shtuar 14.04.2021 14:36