Një paketë e re mbështetjeje në Singapor parashikon rreth 70 mijë dollarë singaporianë, të barasvlershme me 55,048 dollarë amerikanë, për çdo fëmijë deri në moshën 17 vjeç. Nisma synon të nxisë çiftet të krijojnë familje dhe të ndalë rënien e lindshmërisë.
Të lidhura
None found
Kryeministri Lawrence Wong prezantoi një seri masash ekonomike dhe sociale, përmes të cilave qeveria synon të lehtësojë shpenzimet e prindërve dhe të forcojë mbështetjen për familjet.
Skema nis menjëherë pas lindjes, me një pagesë prej 10 mijë dollarësh singaporianë. Përveç saj, do të jepen edhe dy këste të tjera, me nga 5 mijë dollarë secili, të destinuara për shpenzime mjekësore dhe arsimore.
Fëmijët do të përfitojnë gjithashtu kredi vjetore prej 2 mijë dollarësh singaporianë, nga mosha 1 deri në 16 vjeç. Në të njëjtën kohë, tarifat mujore të kopshteve të subvencionuara do të ulen në 150 dollarë singaporianë, ndërsa lejet prindërore do të zgjaten. Megjithatë, ndihma financiare nuk ka mjaftuar për t’i bindur të gjitha çiftet që të bëhen prindër.
Një sondazh i YouGov, i publikuar këtë muaj, tregoi se një në katër singaporianë nuk ka në plan të ketë fëmijë. Arsyet kryesore të përmendura janë shpenzimet e larta të jetesës, përgjegjësitë e prindërimit dhe ndryshimi që një fëmijë do të sillte në stilin e jetës.
Lee, 34 vjeç, i punësuar në sektorin financiar, jeton në lindje të Singaporit me bashkëshorten dhe dy macet e tyre. Çifti nuk planifikon të ketë fëmijë, pasi shqetësohet për vështirësitë e rritjes dhe ndikimin që kjo do të kishte në jetën e përditshme.
“Jemi të lumtur me jetën që kemi tani, ndaj një fëmijë do ta komplikonte disi atë”, thotë ai, duke përmendur kufizimet që do të ndikonin edhe te udhëtimet dhe daljet në restorante.
Me një normë totale fertiliteti prej vetëm 0.87 fëmijësh për grua, Singapori renditet mes vendeve me lindshmërinë më të ulët në botë. Shifra është shumë poshtë nivelit 2.1, i cili konsiderohet i nevojshëm për zëvendësimin e një brezi me tjetrin.
Pasojat e kësaj tendence shtrihen përtej çështjeve sociale. Rënia e lindjeve po zvogëlon numrin e të rinjve dhe të njerëzve në moshë pune, ndërsa pesha e popullsisë së moshuar po rritet.
Singapori pritet që këtë vit të klasifikohet si një shoqëri “super të plakur”. Sipas përkufizimit të Kombeve të Bashkuara, ky status nënkupton se mbi 21% e popullsisë është mbi 65 vjeç.
Masat e reja qeveritare kanë shkaktuar reagime të përziera. Çiftet që duan të kenë fëmijë i konsiderojnë ato një ndihmë të rëndësishme, veçanërisht për përballimin e kostove të kujdesit ndaj fëmijëve.
Iqbar Hisham, 27 vjeç, e përshkruan jetesën në Singapor si “jashtëzakonisht të lartë”. Megjithatë, ajo thotë se mbështetja e re i ka dhënë asaj dhe të fejuarit shpresë për të krijuar familje në të ardhmen.
“Mbështetja më nxit të kem fëmijë sa më shpejt pasi të martohem”, shprehet ajo, duke vlerësuar veçanërisht ndihmën e parashikuar për kujdesin ndaj fëmijëve.
Por vendimi për të pasur fëmijë nuk përcaktohet vetëm nga gjendja financiare. Presioni i shoqërisë, sistemi tejet konkurrues i arsimit dhe oraret e gjata të punës janë faktorë të tjerë që ndikojnë te çiftet.
Konkurrenca arsimore ka nxitur edhe zhvillimin e një industrie të madhe të mësimeve private, pasi prindërit përpiqen t’i përgatisin fëmijët për sukses që në moshë të vogël. Sociologia Teo You Yenn, autore e librit “Unease: Life in Singapore Families”, ka theksuar se prindërit në Singapor u kushtojnë shumë rëndësi aktiviteteve dhe studimeve shtesë të fëmijëve që në periudhën parashkollore.
Kryeministri Wong ka pranuar se shumë singaporianë kanë frikë për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe për mundësinë që të mos jenë në gjendje t’i ndihmojnë ata të kenë sukses.
Për Lee-n, pengesa kryesore është koha, jo vetëm paratë. Ai thotë se ndihma e qeverisë nuk e ka bindur atë dhe bashkëshorten të bëhen prindër.
“Do të na duhet të sakrifikojmë një pjesë të madhe të kohës për të rritur siç duhet një fëmijë. Kjo është diçka që nuk jemi në gjendje ta ofrojmë për momentin”, shprehet ai.
Ndërkohë, Shu Rong Teo, 41 vjeç dhe nënë e tre fëmijëve, tregon se kombinimi i karrierës me jetën familjare ka kërkuar ndihmën e një punonjëseje shtëpie dhe bashkëjetesën me vjehrrit.
“Përvoja jonë tregon se për të rritur një fëmijë duhet një komunitet i tërë dhe se mbështetja e familjes mbetet e domosdoshme për prindërit që punojnë”, thotë ajo.
Teo e përshëndet paketën e re, veçanërisht zgjerimin e lejes për kujdesin ndaj fëmijëve. Më parë, ajo kishte në dispozicion vetëm dy ditë leje për këtë qëllim dhe për ditët e tjera duhej të përdorte pushimet vjetore. Sipas ndryshimeve të reja, ajo dhe bashkëshorti i saj do të kenë nga 12 ditë leje secili për t’u kujdesur për fëmijët.
