Shifrat: Pse humbjet ushtarake të Rusisë në Ukrainë janë të pakthyeshme

Nga Pavel Luzin “Center for European Policy Analysis”

Përballë humbjeve të mëdha të elementëve të avancuar dhe të pajisjeve industriale si rezultat i sanksioneve perëndimore, industria ruse e mbrojtjes nuk do të jetë në gjendje të kompensojë humbjet e saj në të ardhmen e parashikueshme. Kremlini po merr masa për të rikthyer një pjesë të fuqisë së humbur ushtarake, duke i dhënë përparësi sasisë në vend të cilësisë në përpjekjet e tij për prodhimin e armëve të reja.

Por rritja e produktivitetit të kompanive vendase të mbrojtjes është e vështirë, në mos e pamundur. Një shqyrtim në detaje i buxhetit të mbrojtjes flet shumë në këtë aspekt. Buxheti i planifikuar i mbrojtjes kombëtare për vitin 2022 ishte 3.51 trilion rubla (57.4 miliardë dollarë), shifër që u rrit në 3.85 trilion rubla pas fillimit të pushtimit të gjithanshëm të Ukrainës në fundin e muajit shkurt.

Për më tepër, 2.82 trilion rubla ishin planifikuar për sigurinë kombëtare dhe organet e zbatimin e ligjit. E dhëna e fundit luan një rol të rëndësishëm në analizën e shpenzimeve ushtarake të Rusisë, sepse Garda Kombëtare Ruse (Rosgvardia), përfshirë njësitë çeçene, dhe disa njësi të FSB-së dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, janë të përfshira drejtpërdrejt në luftë.

Me sa duket, edhe mercenarët rusë si Grupi Vagner financohen indirekt, dhe të paktën pjesërisht nga ky zë në buxhet, që mund të arrijë deri në 1/3 e shpenzimeve në total për sigurinë kombëtare. Pjesa tjetër, rreth 60-65 për qind, caktohet zakonisht për Ministrinë e Brendshme (policinë, shërbimin e emigracionit etj), Ministrinë e Drejtësisë, emergjencat civile, burgjet, prokurorët dhe shërbime të tjera që kryesisht mungojnë për shkak të luftës në Ukrainë, albeu.com.

Në aspektin sasior, buxheti është më i madh sesa në vitet e mëparshme, dhe kjo për shkak të humbjeve të mëdha materiale në Ukrainë, humbjeve të vazhdueshme financiare të industrisë së mbrojtjes dhe vendimit të Kremlinit për ta bërë Rusinë akoma më autoritare në aspektin ekonomik dhe politik.

Agresioni ndaj vendit fqinj e ka ndryshuar balancën e brishtë të buxhetit të mbrojtjes. Shpenzimet e mbrojtjes kombëtare vetëm në periudhën janar-prill 2022 ishin 1.6 trilionë rubla, dhe rreth 500 miliardë rubla vetëm në muajt mars-prill. Kjo shifër ishte dukshëm më e lartë se në vitet e mëparshme, dhe pavarësisht se mungojnë të dhënat më të fundit, projeksioni na jep një total vjetor prej të paktën 5.5-5.6 trilion rubla deri në fund të vitit.

Pavarësisht nga një rrjedhje e fundit e informacioneve nga qeveria ruse, që tregon se shpenzimet e mbrojtjes kombëtare do të arrinin 4.68 trilion rubla këtë vit, shpenzimet shtesë vetëm për blerjen e armëve u vlerësuan zyrtarisht të jenë të paktën 600-700 miliardë rubla (para luftës, pjesa e blerjes së armëve ishte planifikuar të ishte 1.8 trilionë rubla për gjithë këtë vit). Por shpenzimet reale të mbrojtjes kombëtare do të jenë në mënyrë të pashmangshme shumë më të larta. Dhe është po aq e arsyeshme të supozohet se shpenzimet e sigurisë kombëtare dhe të zbatimit të ligjit do të jenë po ashtu tepër më të larta. Kriza financiare në këtë sektor mund të bëhet edhe më e rëndësishme me rritjen e deficitit buxhetor.

Në fillim të ardhurat fiskale ishin planifikuar të ishin 25 trilion rubla, dhe shpenzimet 23.69 trilionë rubla. Por në nëntor, të ardhurat e planifikuara mbetën të pandryshuara, ndërsa shpenzimet totale tani planifikohen të jenë 29 trilionë rubla. As projektbuxheti i vitit të ardhshëm nuk tregon shenja përmirësimi.

Në një draft të publikuar në tetor, buxheti supozohet të ndajë 4.98 trilionë rubla për mbrojtjen kombëtare dhe 4.42 trilionë rubla për sigurinë kombëtare dhe zbatimin e ligjit, me një rritje të ndjeshme krahasuar me respektivisht 3.5 trilionë dhe 2.97 trilionë rubla në planifikimin paraprak për vitin 2023 të bërë një vit më parë, albeu.com.

Dhe deri në fillim të këtij muaji, shpenzimet e planifikuara për mbrojtjen kombëtare për vitin 2023, e kishin tejkaluar shifrën 5.1 trilionë rubla, me një rritje prej 46 për qind nga shifra fillestare. Këtu pjesa e blerjes së armëve është e madhe, por ajo nuk mund të bëhet një “ndryshues i lojës” në rivendosjen e fuqisë ushtarake të Rusisë.

Zyrtarët dhe drejtuesit e sektorit të mbrojtjes, po deklarojnë se industria e mbrojtjes është e gatshme të kompensojë të gjitha humbjet, ndërsa qeveria po e rrit buxhetin e saj për prokurimin e armëve. Këtë vit, blerja e armëve do të arrijë në të paktën 2.5 trilionë rubla pas të gjitha korrigjimeve të njohura buxhetore, dhe madje mund ta tejkalojë këtë shifër. Sipas të dhënave paraprake, blerja e armëve vitin e ardhshëm do të kushtojë jo më pak se 2.5-2.6 trilionë rubla, dhe mund të jetë edhe më e lartë. Megjithatë, një pjesë e këtyre shpenzimeve duhet të kompensojnë rëniet e mundshme në eksportet e armëve.

Në gusht, Rosoboronexport , degë e korporatës shtetërore të mbrojtjes Rostec që mban monopolin e tregtisë së armëve në vend, priste më pak se 11 miliardë dollarë shitje armësh deri në fund të këtij viti ( sa për krahasim, 13 miliardë dollarë ishin eksportet në vitin 2020).

Për më tepër, Rusia e mbështet eksportin e armëve përmes kredive të subvencionuara, duke u ofruar klientëve të saj mundësinë për të vonuar pagesat me vite, ndërsa i konverton kontratat e eksportit nga monedhat kombëtare në ato më pak të qëndrueshme (në fakt në rubla). Prandaj, shifrat vjetore për eksportet e armëve nuk përkthehen në të ardhura reale.

Ndërkohë, industria ruse e mbrojtjes ka vite që del me humbje. Për shembull, vëllimi i kredive me probleme të kësaj industrie i tejkaloi 1.7 trilionë rubla në vitet 2016-2020. Nuk ka asnjë provë se kompanitë e mbrojtjes e kanë përmirësuar efikasitetin e tyre ekonomik gjatë periudhës 2021-2022.

Rrjedhimisht, edhe nëse rritet buxheti i armëve, ai ndryshon pak gjëra në ekonominë e prodhimit të mbrojtjes ruse. Tani zyrtarët rusë po inspektojnë fabrikat, në përpjekje për të menaxhuar problemet e shumta që lindin në linjat e prodhimit.

Sfida kryesore është se si të ruhet produktiviteti; pasi çdo shpresë për ta rritur atë duket pothuajse e pamundur. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë, do të ishte thjeshtëzimi i prodhimit, dhe dhënia përparësi e armatimeve të vjetëruara. Kështu, Rusia duhet të modernizojë 800 tanke luftarake T-62 gjatë 3 viteve të ardhshme, albeu.com.

Këto tanke u futën për herë të parë në përdorim vitin 1961, në të njëjtin vit që nisi edhe ndërtimi i Murit të Berlinit. Por e njëjta qasje nuk mund të përdoret për avionët luftarakë, helikopterët, raketat, artileritë dhe sistemet e tjera.

Për shembull, nëse Rusia mund të prodhojë 15 helikopterë luftarakë Ka-52 në vit, ajo nuk mund ta rrisë me shpejtësi këtë shifër në 20-25 helikopterë për të mbuluar humbjet në Ukrainë (ku kanë humbur të paktën 27 helikopterë të tillë).

Por problemi kryesor nuk është vetëm mungesa e komponentëve, teknologjisë dhe pajisjeve industriale të importuara, por edhe mungesa e kapitalit njerëzor. Autoritetet ruse vlerësojnë se deficiti aktual i fuqisë punëtore në sektorin e mbrojtjes është 400.000 njerëz. Për të gjitha këto arsye, humbjet e ushtrisë ruse gjatë pushtimit të Ukrainës janë të pakthyeshme.

Shënim: Pavel Luzin, profesor në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe bashkëpunëtor në Shkollën e Drejtësisë dhe Diplomacisë në Universitetin Tafts.

/albeu.com


Shtuar 17.11.2022 09:11