Partia proruse, Fronti Demokratik (DF) dhe Partia Boshnjake (BS) kanë hyrë në Qeverinë e Malit të Zi, pasi Parlamenti votoi më 23 korrik për riformatizmin e ekzekutivit. Shtetet e Bashkuara thanë se janë të shqetësuara për përfshirjen e këtyre partive në Qeveri.
Partia proruse do të ketë dy poste të zëvendëspresidentit dhe do të udhëheqë dy ministri, ndërkaq partia boshnjake do të ketë një zëvendëspresident dhe pesë ministra.
Me hyrjen e këtyre partive, Qeveria e Malit të Zi tani do të ketë 32 anëtarë – Qeveria më e madhe në historinë e shtetit.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, gjatë adresimit të tij tha se Mali i Zi është në paqen më të mirë në historinë e tij.
“Kjo qeveri është garantuese e stabilitetit dhe pjekurisë. Ne jemi tregues se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët mund të jetojnë dhe punojnë së bashku”, tha Spajiç.
Duke komentuar hyrjen e partive proruse në ekzekutiv, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Socialistëve, Andrija Nikoliç, tha se Qeveria do të menaxhohet nga Moska dhe Beogradi.
“Koka dhe truri janë në Moskë. Koka e kësaj qeverie është [kryetari i Parlamentit] Andrija Mandiç, prandaj në të nuk ka asnjë malazezë”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë shprehu shqetësim për përfshirjen në Qeveri të partive dhe liderëve që nuk e dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Nga Ambasada amerikane thanë për Radion Evropa e Lirë se mbështesin një qeveri të përkushtuar për anëtarësimin e shtetit në BE, respektimin e vlerave euroatlantike dhe pjesëmarrjen e plotë në NATO, që pasqyron përbërjen multikulturore të Malit të Zi.
“Ne jemi të shqetësuar për përfshirjen në Qeveri të partive dhe liderëve që nuk dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës, janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha Ambasada amerikane.
Ambasada amerikane u bëri thirrje Qeverisë dhe deputetëve të mbesin të përqendruar në qëllimin e përbashkët, që është anëtarësimi i Malit të Zi në BE, dhe të shmangin çështje joproduktive që kërcënojnë këtë qëllim dhe shkaktojnë përçarje.
“Si aleate dhe partnere e ngushtë i Malit të Zi, SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë dhe njoh veprimet konstruktive të Kuvendit dhe Qeverisë, duke vënë në pah aktivitete që janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe rrezikojnë përparimin e prekshëm drejt integrimit. në Bashkimin Evropian”, tha Ambasada amerikane në një përgjigje për REL-in.
Ky është riformatizimi i parë i Qeverisë së Spajiqit, e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar me votat e 46 deputetëve nga 81 sa janë gjithsej.
Qeverinë, atëkohë, e mbështetën 13 deputetë të partive të DF-së, që u shpërbë së voni – përkatësisht Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiçit dhe Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviçit – me kushtin që t’i bashkohen Qeverisë këtë vit.
Politika e këtyre partive është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këto parti mbështesin heqjen e sanksioneve kundër Rusisë – të vendosura për shkak të agresionit të saj në Ukrainë – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtare të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, mbështesin kriminelët e dënuar të luftës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, etj.
Përveçse mbështesin presidentin rus, Vladimir Putin, udhëheqësit e këtyre partive kanë marrëdhënie të ngushta politike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
SHBA-ja, në disa raste, ka shprehur shqetësim për përfshirjen në pushtet të partive që kundërshtojnë vlerat euroatlantike.
Shqetësime të ngjashme kanë shprehur edhe institucionet evropiane.
Megjithatë, Kuvendi i Malit të Zi ka zgjedhur Andrija Mandiçin për kryetar në fund të tetorit të vitit 2023. Ai është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e Lëvizjes së Spajiçit Evropa Tani./REL