Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rrisin ndihmën për Turqinë dhe Sirinë pas tërmetit katastrofik që goditi të hënën.
John Kirby, Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për Komunikimet Strategjike, tha se Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) ka vendosur tashmë një ekip ndihme dhe reagimi ndaj fatkeqësive në Turqi.
Ai tha se SHBA po vendos ekipe ndihme nëpërmjet helikopterëve Blackhawk nga Baza e Forcave Ajrore Incirlik në Turqinë Jugore.
Të enjten, USAID njoftoise do të japë 85 milionë dollarë financim për rajonin për të ofruar “ushqim dhe strehim urgjent për refugjatët dhe njerëzit e sapo zhvendosur, furnizime dimërore për të ndihmuar familjet të përballojnë të ftohtin, shërbime kritike të kujdesit shëndetësor për të ofruar mbështetje për traumën, ujë të pijshëm të sigurt për të parandaluar sëmundjet , dhe asistencë higjienike dhe sanitare për t’i mbajtur njerëzit të sigurt dhe të shëndetshëm.”
Në Siri, tha Kirby, partnerët humanitar po “rrisin urgjentisht përpjekjet e reagimit”, duke përfshirë nisjen e fluturimeve çarter me furnizime mjekësore, shpërndarjen e vakteve të nxehta dhe vendosjen e 20 kamionëve me ilaçe dhe ushqime në vend.
Ai vuri në dukje një licencë nga Thesari i SHBA që ofron autorizime shtesë për ndihmë humanitare për popullin sirian.
/AlbEu.com/