Numri i viktimave nga sulmet e Izraelit në Iran që nga 14 Qershori deri më sot është rritur në rreth 950 të vdekur dhe 3450 të plagosur, sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia për të Drejtat e Njeriut “Hrana”, një organizatë e pavarur iraniane që monitoron çështjet humanitare.
Sipas kësaj organizate, shumica e viktimave janë civilë. Gjithashtu, burimi raporton se gjatë këtyre 10 ditëve janë kryer rreth 640 arrestime në vend, në kuadër të masave të Teheranit kundër protestave dhe akuzave për spiunazh dhe bashkëpunim me armikun.
Ndërkohë, autoritetet zyrtare iraniane raportojnë rreth 500 të vdekur që nga fillimi i sulmeve më 13 Qershor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, raport që u transmetua nga televizioni shtetëror dhe u përhap nga BBC, me mbi 3,000 të plagosur.
Nga ana tjetër, forcat iraniane kanë hedhur mbi 500 raketa dhe më shumë se 1,000 dronë drejt Izraelit, duke shkaktuar evakuimin e më shumë se 15,000 banorëve nga zonat e rrezikuara.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit raportuan në operacionin “Rising Lion” se deri tani 24 civilë kanë humbur jetën dhe 1,361 janë plagosur, nga këta, 14 ndodhen në gjendje kritike, 55 në gjendje mesatare dhe 1,292 me lëndime të lehta.