Rikthehet dimri në SHBA, ja sa parashikohet të shkojnë temperaturat

Një valë e re të ftohti pritet të përfshijë pjesë të tëra të Shteteve të Bashkuara në ditët në vijim, të shoqëruara me erëra të ftohta, dëborë dhe ngrica.

Temperaturat e ftohta që parashikohen për ditën e hënë në Uashington, detyruan autoritetet që ta zhvendosin ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump në ambientet e brendshme të Kapitolit.

Në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, që nga malet Rockies në Kolorado deri tek shtetet veriore, temperaturat do të bien duke filluar nga e diela dhe do të vazhdojnë gjatë tërë javës së ardhshme dhe ato do të arrijnë deri në – 40 gradë celsius, ose edhe më të ulëta, në Dakota dhe në pjesën veriore të Minesotës, sipas meteorologut nga Shërbimi Kombëtar i Motit, Marc Chenard.

Në kushte të tilla atmosferike, mund të pësohet deri edhe ngrirje nëse ndonjë pjesë e trupi të njeriut ekspozohet ndaj këtyre temperaturave, qoftë edhe për më pak se 10 minuta. Zyrtarët e institutit meteorologjik u bënë thirrje banorëve të veshin xhaketa, kapele dhe doreza dhe të kalojnë sa më pak kohë jashtë.

Autoritetet presin që reshjet e shiut dhe të borës të krijojnë probleme në komunikacion, sidomos në pjesët e vendit që zakonisht nuk përjetojnë mot të këtillë dimëror. /voa


Shtuar 18.01.2025 20:49

Tags: ,