Planin i paqes për Ukrainën, Zelensky: Ekziston mundësia e një referendumi për çështjet territoriale

Volodymyr Zelensky përmendi mundësinë që çështja e kontrollit territorial në Ukrainën lindore të hidhet në referendum, ndërsa Kievi përballet me presion gjithnjë e më të madh për të pranuar kushtet e një plani paqeje që po formësohet për t’i dhënë fund luftës.

Sipas Bloomberg, Moska insistion që Ukraina të tërheqë forcat e saj nga Donbasi lindor, i cili përfshin zona të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, territore që ushtria ruse nuk ka arritur t’i pushtojë gjatë pothuajse katër viteve të pushtimit.

Presidenti ukrainas ka marrë pjesë në bisedimet që lidhen me propozimin më të fundit të paqes të Donald Trump, por ai mban qëndrimin e pandryshuar se Ukraina nuk do të marrë në konsideratë dorëzimin e territoreve ndaj Kremlinit.

“Rusët duan gjithë Donbasin, ne nuk e pranojmë këtë,” u shpreh Zelensky para gazetarëve në Kiev të enjten. “Besoj se populli ukrainas do t’i përgjigjet këtij pyetjeje. Qoftë përmes zgjedhjeve apo një referendumi, populli duhet të ketë fjalën e tij.”

Territoret ukrainase janë në qendër të negociatave mes Uashingtonit, Kievit dhe Moskës, teksa palët përpiqen të hartojnë një marrëveshje të mundshme paqeje. Zelensky tha se SHBA ka diskutuar mbi mundësinë që zona të shpallet si “zonë e lirë ekonomike”, ndërsa Rusia propozon krijimin e një “zone të demilitarizuar”.

“Amerikanët po kërkojnë formatin e duhur,” u shpreh ai. “Le të shohim si do të zhvillohen gjërat. Besoj se shumë do të varen nga ushtria jonë.”

Aleatët e Ukrainës pritet të shqyrtojnë versionin më të ri të planit të paqes të enjten, pas bisedimeve që zhvilluan një ditë më parë liderët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe me Trump.

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se është “relativisht optimist” për progresin që mund të arrihet deri në fundjavë, teksa palët synojnë të arrijnë një konsensus mbi kushtet.

“Mbi të gjitha, bëhet fjalë për koncesionet territoriale që Ukraina është e gatshme të bëjë, por kjo është një çështje që duhet ta vendosin presidenti ukrainas dhe populli ukrainas,” tha Merz në Berlin pas takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. “Këtë ia bëmë të qartë presidentit Trump.”

Zelensky shtoi se Kievi i ka paraqitur SHBA-së një version të përditësuar të planit të paqes. Përveç planit me 20 pika, korniza e marrëveshjes do të përfshijë garanci sigurie dhe një marrëveshje për rindërtimin e Ukrainës, theksoi ai.


Shtuar 11.12.2025 19:29