ABC, CBS, CNN, Fox News dhe NBC, pesë nga rrjetet kryesore televizive në Shtetet e Bashkuara, njoftuan se do të ndalojnë mbulimin e aktiviteteve presidenciale, pasi CNN-it iu mohua aksesi në Shtëpinë e Bardhë.
Të lidhura
None found
Në deklaratën e përbashkët, rrjetet theksuan se publiku duhet të ketë mundësi të informohet në mënyrë të saktë dhe të pavarur për veprimtarinë e qeverisë. Sipas tyre, asnjë administratë nuk mund të përjashtojë një organizatë mediatike për mënyrën se si ajo raporton.
Marrëveshja mes këtyre televizioneve parashikon që ato të alternohen në raportimin e angazhimeve të presidentit dhe të ofrojnë pamje edhe për transmetuesit e tjerë. Megjithatë, në këtë rast asnjë prej tyre nuk pranoi të merrte përsipër rolin e CNN-it.
Përplasja ka marrë tashmë edhe drejtim juridik. CNN, Ms. Now dhe Politico, të cilave me urdhër të presidentit Trump u është hequr hyrja në Shtëpinë e Bardhë, kanë depozituar padi në gjykatën federale në Uashington, duke iu referuar Amendamentit të Parë të Kushtetutës së SHBA-së dhe parimit të lirisë së shtypit.
Nëpërmjet padisë, mediat kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të aksesit, duke pretenduar se përjashtimi është vendosur pa paralajmërim dhe pa u dhënë mundësia për të paraqitur qëndrimin e tyre.
Donald Trump, nga ana e tij, mohon se administrata e drejtuar prej tij po zhvillon një sulm ndaj medias.
Në një postim në rrjetin e tij social, presidenti amerikan deklaroi se Shtëpia e Bardhë nuk po përballet me shtypin e lirë, por me atë që ai e quan “lajme të rreme”, duke e përshkruar këtë dukuri si kërcënim për sigurinë kombëtare.
