Pakistani arreston ish-kreun e zbulimit të vendit

Ushtria e Pakistanit njoftoi të hënën se kishte arrestuar ish-shefin e zbulimit të vendit dhe se ka nisur procedurat për gjyq ushtarak kundër tij me akuza për shpërdorim detyre, korrupsion dhe shkelje të rregulloreve të ushtrisë.

Arrestimi i gjeneralit në pension Faiz Hameed, i cili shërbeu si kreu i zbulimit (ISI) nga viti 2019 deri më 2022, është diçka e pazakontë në Pakistan. Ushtria e fuqishme e vendit ka sunduar për më shumë se 30 vjet që kur vendi fitoi pavarësinë më 1947. Ushtria vazhdon të ketë ndikim të rëndësishëm.

Të lidhura

None found

Ushtria vuri në dukje në njoftimin e së hënës se arrestimi u bë pas një hetimi të urdhëruar nga Gjykata e Lartë kundër zotit Hameed. Ushtria deklaroi se gjatë hetimit u konfirmuan ‘raste të shumta të shkeljeve të Ligjit të Ushtrisë së Pakistanit’.

Emri i zotit Hameed u përmend gjerësisht në mediat lokale për përfshirjen e tij të dyshuar në politikën kombëtare dhe ushtrimin e ndikimit tek gazetarët gjatë mandatit të tij si shef i ISI-t.

Gjenerali tërhoqi vëmendje globale kur gazetarët e panë atë në një hotel në Kabul, menjëherë pasi talebanët rimorën kontrollin e Afganistanit në gusht të vitit 2021. Talibanët u rikthyen në pushtet ndërsa forcat perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara u tërhoqën pas gati dy dekadash luftë në Afganistan.

Gjatë pranisë së tyre në Afganistan, Uashingtoni dhe vendet aleate kishin akuzuar ISI-në se ofronte strehë dhe u mundësonte në mënyrë të fshehtë udhëheqësve talebanë të orkestronin sulme kryengritëse nga Pakistani kundër forcave ndërkombëtare në anën afgane të kufirit.

Zoti Hameed besohej të ishte i afërt me ish-kryeministrin Imran Khan, i cili e emëroi atë në krye të ISI-t kur ishte kryeministër.

Zoti Khan u rrëzua nga pushteti në vitin 2022 me një mocion mosbesimi në parlament që ai pretendon se ishte orkestruar nga udhëheqja ushtarake në atë kohë, akuza që ushtria i mohon.

“Pakistani ka ndërmarrë një hap të madh dhe të paprecedentë për të gjykuar përmes gjyqit ushtarak një ish-shef të zbulimit”, tha Michael Kugelman, drejtor i Institutit të Azisë Jugore në Qendrën Wilson në Uashington.

“Duke pasur parasysh rrethanat aktuale politike, është e pamundur ta vlerësosh këtë zhvillim të shkëputur nga lidhjet e Faizit me Imran Khanin”, shkroi zoti Kugelman në rrjetin social X, i njohur më parë si ‘Twitter’.

Zoti Khan, i cili mbetet politikani më popullor në Pakistan, u dërgua në burg një vit më parë pasi u dënua në një rast korrupsioni.

Gjykatat e apelit që atëherë kanë rrëzuar ose pezulluar të gjitha dënimet e tij për shkak të mungesës së provave. Megjithatë, autoritetet ngritën menjëherë çështje të reja kundër zotit Khan duke e mbajtur atë në burg./VOA


Shtuar 12.08.2024 22:22