Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që kërkon një armëpushim në Gaza për pjesën tjetër të muajit Ramazanit.
Muaji i shenjtë mysliman filloi më 10 mars dhe do të përfundojë më 9 prill, që do të thotë se këshilli po bën thirrje për një armëpushim dy-javor, megjithëse drafti thotë se pauza në luftime duhet të çojë “në një armëpushim të qëndrueshëm të përhershëm”.
SHBA abstenuan nga votimi, me 14 anëtarë të tjerë të këshillit, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Britaninë e Madhe, votuan pro.
Rezoluta kërkon gjithashtu lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve.
Përpara votimit, media lokale raportoi se kryeministri Benjamin Netanyahu kërcënoi se do të anulonte një vizitë të planifikuar në Uashington me një delegacion nëse SHBA nuk do të vinte veton ndaj propozimit.
Të premten, Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një rezolute të sponsorizuar nga SHBA që do të kishte mbështetur “një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në konfliktin Izrael-Hamas.
Këshilli kishte miratuar dy rezoluta mbi përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza, por propozimi i së premtes shënoi herën e parë që SHBA-ja mbështet një rezolutë që përmban fjalën “armëpushim” gjatë luftës në Gaza – duke reflektuar një ashpërsim të qëndrimit të administratës Biden ndaj Izraelit.