Një dëshmi tronditëse ka ardhur nga dy vëllezërit Enis Loka dhe Aleksandros Loka, të cilët akuzohen për vrasjen e kushëririt të tyre, Denis Loka mbrëmjen e së hënës në Greqi.
Sipas mediave greke, pas vetëdorëzimit në polici, rreth 1 orë pas krimit, dy vëllezërit të moshës 17 dhe 19 vjeç kanë pretenduar se kushëriri i tyre kishte abuzuar seksualisht me ta kur jetonin ende në Shqipëri.
Ditët e fundit 28-vjeçari kishte mbërritur edhe në Greqi. Kur e panë, sipas dëshmisë, iu janë “zgjuar” kujtimet e këqija ndaj vendosën ta vrisnin.
Të tre burrat u takuan mbrëmjen e së hënës dhe patën një konflikt të ashpër, gjatë të cilit akuzuan 28-vjeçarin se i kishte përdhunuar në Shqipëri kur ishin ende fëmijë.
Më pas 28-vjeçari mësohet se u ka thënë: “Kanë vite që kanë ndodhur këto gjëra, le t’i harrojmë”, ndërsa dy vëllezërit u përgjigjën: “nuk harrojmë asgjë, as nuk e kemi kaluar”. Më pas nisi sherri i cili përfundoi në rrugën Chanion me vrasjen e 28-vjeçarit.
17-vjeçari ka rrëfyer se ka qenë ai që ka mundur ta godasë me thikë direkt poshtë qafës kushëririn e tij. Ky i fundit eci zvarrë në rrugën e Patisionit duke kërkuar ndihmë.
Ai është pikasur nga një veturë e policisë rrugore që po kalonte aty dhe polici thirri një ambulancë.
28-vjeçari u dërgua në spitalin Evangelismos, por nuk arriti që të mbijetonte duke humbur jetën.
Pothuajse një orë më vonë dy vëllezërit, së bashku me nënën e tyre, shkuan në stacionin policor të Kypselit dhe pranuan aktin e tyre. Ata pritet të dalin sot në gjykatë.
“E pashë duke ardhur nga kjo anë. Ai ndoshta as nuk e kuptoi se çfarë i kishte ndodhur. Ai ra në tokë dhe u mblodh një turmë e madhe. Kishte shumë gjak, sollën peshqirë nga një dyqan dhe më pas erdhën dhe e morën”, tha një dëshmitar okular i vrasjes së 28-vjeçarit për SKAI.