Nga fronëzimi i Papës në tryezën ekonomike, J.D. Vance, Meloni dhe Von der Leyen bisedime në Romë për rifillimin e negociatave tregtare BE-SHBA

Të dielën, në Romë, Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, u takua me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Ky takim, që pasoi pjesëmarrjen e tyre në meshën e fronëzimit të Papës Leoni, u përqendrua në diskutimin e mundësisë për të rifilluar negociatat tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

“Pavarësisht dallimeve që kemi, sidomos në çështje si tregtia, Evropa vazhdon të jetë një aleate e rëndësishme për ne,” deklaroi Vance në praninë e dy lidereve evropiane.

Ai nënvizoi rëndësinë e një bashkëpunimi ekonomik të qëndrueshëm dhe shprehu besimin se një proces i ri bisedimesh do të sillte përfitime reciproke për të dyja palët.

Ky takim përfaqëson një nismë të re për tejkalimin e tensioneve tregtare dhe ndërtimin e një marrëdhënieje ekonomike më të qëndrueshme ndërmjet dy kontinenteve.


Shtuar 18.05.2025 17:37

Tags: ,