Netanyahu: Arrestimi i Maduros është një “sinjal paralajmërues” për Teheranin

Në Izrael, operacioni amerikan në Venezuelë interpretohet si një mesazh i drejtpërdrejtë paralajmërues i presidentit Donald Trump ndaj Iranit, në një moment kur po shqyrtohet mundësia e një operacioni të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) për çarmatimin e Hezbollahut.

Ndryshe nga shumica dërrmuese e liderëve botërorë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përgëzoi publikisht presidentin Trump për operacionin ushtarak në Venezuelë, duke e cilësuar atë, në një postim në platformën X, si “një akt historik të guximshëm në shërbim të drejtësisë dhe lirisë”.

Qëndrimi zyrtar izraelit lidhet ngushtë me marrëdhëniet e forta që presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka pasur me udhëheqjen politike të Iranit, si edhe me Turqinë e presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Mediat izraelite theksuan gjithashtu faktin se Trump, në fillim të fjalimit të tij – në prani të Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe ministrit amerikan të Mbrojtjes Pete Hegseth – kujtoi se më 3 janar 2020, gjatë mandatit të tij të parë, SHBA kishin eliminuar në Bagdad, përmes një sulmi me dron, Qasem Soleimani-n, ish-komandantin e forcës elitare Al-Quds të Gardës Revolucionare Iraniane.

Në këtë kontekst, zhvillimet në Karakas janë komentuar në Izrael në lidhje edhe me protestat kundër regjimit në Iran, të cilat po vijojnë për të tetën ditë radhazi. Analistët izraelitë vlerësojnë se ajo që ndodhi në Venezuelë përbën një sinjal të fortë politik drejt Teheranit. Kujtohet se vetëm disa orë para operacionit, Trump paralajmëroi Iranin se, nëse do të vriteshin protestues paqësorë, SHBA do të ishin “të gatshme të ndërhynin”.

Vëmendja te Hezbollahu

Përtej ndikimit që ngjarjet në Venezuelë mund të kenë në marrëdhëniet tashmë të tensionuara SHBA–Iran, interesi kryesor i Izraelit përqendrohet te situata delikate në frontin me Hezbollahun në Liban. Në Izrael pranohet gjerësisht se aleanca strategjike Iran–Venezuelë ka shërbyer si burim mbështetjeje financiare jo vetëm për Hezbollahun libanez, por edhe për aleatë të tjerë rajonalë të Teheranit, përfshirë milicitë shiite në Siri, Irak dhe rebelët Huthi.

Mediat izraelite theksojnë se afati për çarmatimin e Hezbollahut nga ushtria libaneze ka përfunduar më 31 dhjetor pa rezultate konkrete, çka ka rritur spekulimet për një operacion të mundshëm të gjerë të IDF për çarmatimin e tij, me dijeni dhe miratim nga Shtëpia e Bardhë.

Dy ditë më parë, televizioni shtetëror izraelit raportoi se zyrtarë amerikanë i kanë kërkuar Izraelit “të presë edhe pak” përpara çdo veprimi në Liban, pa dhënë shpjegime të qarta. Sot, në Izrael po vlerësohet se kjo kërkesë për pritje mund të ketë qenë e lidhur me mesazhet paralajmëruese që Uashingtoni synonte t’i dërgonte Teheranit pas zhvillimeve dramatike në Karakas.


Shtuar 4.01.2026 18:30