Moti i keq godet Italinë, stuhi të mëdha shiu dhe erëra të forta

Moti i keq ka goditur sërish Italinë mëngjesin e kësaj të enjte. Sipas mediave vendase, deri më tani janë prekur dy rajone, Toskana dhe Liguria, ndërsa situata paraqitet shumë problematike.

Furtuna ka detyruar pushuesit të ndërpresin në mes pushimet në plazhet në Viareggio dhe Lido di Camaiore, ndërsa si pasojë e erës së fortë janë shkatërruar disa objekte e janë rrëzuar pemë në rrugë.

Era e fuqishme e nisur që prej mëngjesit të së enjtes dhe është shoqëruar më pas me rrebeshe shiu, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se kanë marrë me dhjetëra telefonata për shkak të përmbytjeve apo bllokimit të rrugës, si pasojë e rrëzimit të pemëve.

Në zonën e Ventimiglia, dy kabina elektrike u përfshinë nga flakët, por fatmirësisht deri tani, nuk ka raportime për persona të lënduar, teksa dëmet janë të konsiderueshme.


Shtuar 15.08.2024 18:52

Tags: ,