Mesazhi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç, që fliste për kohë të vështira për popullin e Serbisë por zotohej ndërkohë edhe të luftonte për fitoren e saj, është parë me shqetësim nga media italiane Europa Today.
“Jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin po fryjnë erëra të rrezikshme” shkruan ajo nisur nga “kërcënime ekzistenciale” ndaj vendit të tij të përmendura nga Vuçiç. Sipas autores Alessia Capasso, ndër datat për tu ndjekur me vëmendje të madhe për fatin e rajonit përmend 5 dhe 6 majin, ku do të mbahet Asambleja e Madhe e Pashkëve, ku siç ka thënë presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, “do të merren vendime të rëndësishme për mbijetesën e popullit serb”.
“Si rezultat, mesazhet shqetësuese të Vuçiç, shtyjnë para hipotezën që në ato data mund të ndodhë njoftimi për bashkim mes Serbisë dhe Republika Srpska. Atëherë plagët e pashëruara asnjëherë në vendet e ish-Jugosllavisë do të rihapeshin sërish”, nënvizohet në shkrim ku jepet alarmi se nëse kjo do të ndodhë apo shkohet drejt diçkaje konkrete, në Ballkan mund të rikthehet konflikti.
Artikulli përmend edhe për tensionet e vazhdueshme mes Serbisë dhe Kosovës, të shtuara nga vendimi për dinarin por edhe për avancimin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Më shqetësuese megjithatë konsiderohet dëshira e Dodikut për ta ndarë Republikën Serbe nga Bosnja. Kohët e fundit, politikani i sanksionuar nga SHBA-të, njoftoi se do të organizojë një referendum për statusin e territorit.
“Lamtumirë Bosnje, bëhuni gati për Republika Srpska exit”, shkroi Dodik në gjuhën angleze pas një takimi me Vuçiç, në një mesazh drejtuar ndërkombëtarëve. Bashkimi Europian hapi negociatat e anëtarësimit për të frenuar idetë separatiste në Bosnje dhe Hercegovinë, por Dodik nuk e pa me sy të mirë këtë vendim. Media italiane nënvizon më tej se edhe presidenti rus Vladimir Putin e mbështet idenë për bashkimin e republikës Sërpska me Serbinë.