Mblidhet Këshilli NATO-Ukrainë, me kërkesë të Kievit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbledhë sot në nivel ambasadorësh Këshillin NATO-Ukrainë, me kërkesë të palës ukrainase.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbledhë të mërkurën (28 gusht) Këshillin NATO-Ukrainë. Takimi do të mbahet në nivel ambasadash dhe me kërkesë të Ukrainës”, tha zëdhënësja Farah Dakhlallah, në një deklaratë me shkrim për Anadolu.

Ajo tha se pritet që ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, të japë informacion për situatën dhe nevojat prioritare në fushën e betejës përmes një video-lidhjeje.

“Takimi po mbahet për shkak të sulmeve të fundit intensive ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës ukrainase”, shtoi Dakhlallah.

Këshilli NATO-Ukrainë ishte themeluar vitin e kaluar për të siguruar koordinim më të afërt midis Aleancës dhe Kievit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, sulmet e Rusisë më 26 gusht i quajti si “një nga sulmet më intensive” kundër vendit të tij.


Shtuar 28.08.2024 19:52