Macron bën ndryshime në qeveri, prezanton kabinetin e ri

Presidenti francez Emmanuel Macron të dielën emëroi shumicën e anëtarëve të kabinetit të ri qeveritar, duke lënë në poste kyçe shumë figura të mëparshme, në përpjekje për të krijuar një pamje stabiliteti.

Megjithatë, ky veprim ka pak gjasa të largojë dyshimet e vazhdueshme për aftësinë e qeverisë për të mbijetuar së paku, sa për të kaluar buxhetin e këtij viti.

Emërimet vijnë gati një muaj pasi qeveria e mëparshme u shpërbë, gjë që çoi Macron-in të zgjidhte aleatin e tij të ngushtë, Sebastien Lecornu, si kryeministër.

Dy politikanë me qasje të forta publike – ministri i Brendshëm Bruno Retailleau dhe ministri i Drejtësisë Gérald Darmanin – do të vazhdojnë në postet e tyre, nga qeveria e kaluar.

Një emërim surprizë ishte ai i Bruno Le Maire, ish-ministër i ekonomisë dhe financave në periudhën 2017–2024, i cili tani do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes.

Politikan veteran dhe qendror, Le Maire është kritikuar nga opozita për përkeqësimin e situatës ekonomike në Francë, si pasojë e politikave të shpenzimeve të mëdha gjatë pandemisë. Roland Lescure, ish-zv.ministër i industrisë, është emëruar si ministër i ri i financave dhe ekonomisë.

Në total, të dielën u emëruan tetëmbëdhjetë ministra. Sipas mediave franceze, priten edhe disa emërime të tjera pas fjalimit, që pritet të mbajë kryeministri Lecornu të martën në pasdite.

Kabineti i ri, i përbërë nga figura të mëdha të qendrës dhe të djathtës konservatore, ngjan shumë me dy kabinetet e mëparshme.

Si Michel Barnier dhe François Bayrou, dy kryeministrat e fundit të Francës që qëndruan më pak se një vit në detyrë, edhe Lecornu do të detyrohet të mbështetet në një aleancë të brishtë mes partive të qendrës dhe partisë së djathtë Republikane – një realitet që ka ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e ministrave.

Këto emërime nuk do të kenë efekt të menjëhershëm ndaj detyrës më të rëndësishme dhe më të vështirë përballë kryeministrit të ri: arritja e një kompromisi mbi buxhetin mes partive politikisht të përçara të Francës – një buxhet i domosdoshëm për të ulur borxhin dhe deficitin, që po rritet në mënyrë alarmante.

Sipas mediave franceze, këtë fundjavë Lecornu u ka dërguar një letër anëtarëve të koalicionit të qendrës së djathtë, ku paraqet planin e tij të veprimit dhe bën thirrje për një kompromis – një gjë që nuk arritën ta bëjnë paraardhësit e tij. “Ka ardhur koha që pushteti të shpërndahet më gjerësisht, në mënyrë që secili të fokusohet në përgjegjësitë që i takojnë,” shkroi ai në letër. “Kjo është gjithashtu mënyra se si do të kursejmë para.”

Presidenca në Francë është institucioni më i fuqishëm, por kryeministri dhe kabineti i tij, që janë përgjegjës para dhomës së ulët të Parlamentit, janë formalisht përgjegjës për politikat e brendshme – përfshirë edhe buxhetin – dhe e drejtojnë vendin në përditshmëri.

Sipas Kushtetutës Franceze, presidenti zgjedh kryeministrin dhe emëron ministrat me rekomandim të tij.

Lecornu pritet të paraqesë planet e tij për buxhetin gjatë fjalimit të së martës. Ai ka premtuar se do t’i lejojë Parlamentit fjalën e fundit, duke mos përdorur një mjet kushtetues, që shpesh përdoret nga qeveritë minoritare për të kaluar ligje pa votim të plotë në Parlament.

Ky hap është një ‘bast’ për të shmangur votën e mosbesimit ndaj tij dhe për të vendosur përgjegjësinë mbi deputetët për të arritur një marrëveshje. Por nuk është e qartë nëse partitë franceze, që nuk njihen për kulturë kompromisi, do të bashkëpunojnë.

Dhoma e ulët e Parlamentit është e bllokuar nga një përzierje partish të majta, një koalicion i brishtë i qendrës së djathtë dhe një fraksion nacionalist e anti-emigracion, i drejtuar nga partia Fronti Kombëtar.

Apetiti i kësaj të fundit për kompromis është venitur, pasi ajo kërkon zgjedhje të reja parlamentare. Kjo ka shtyrë Lecornu-n të kërkojë mbështetje nga Socialistët – partia më e moderuar majtas – edhe pse kërkesat e tyre bien ndesh me axhendën pro-biznes të Macron.

Zyra e kryeministrit ka hedhur për diskutim disa masa për të tërhequr Socialistët dhe sindikatat, si: ulje taksash për çiftet me të ardhura të ulëta, përmirësim pensionesh për gratë e pensionuara dhe një taksë mbi pasuritë financiare të caktuara.

Por ai ka refuzuar prerazi kërkesat kryesore të Socialistëve – si taksa 2% mbi pasuritë që kalojnë 100 milionë euro apo pezullimi i moshës së re të pensionit.

Kjo ka zhgënjyer Socialistët dhe ka acaruar sindikatat, të cilat prej javësh organizojnë protesta dhe greva, kundër një buxheti që e shohin si masë shtrënguese.

“Vetëm shpërndarja e disa masave nuk është provë se ai beson në nevojën për ndryshim të vërtetë,” deklaroi Marylise Léon, udhëheqësja e sindikatës më të madhe në vend, gjatë një proteste në Paris javën e kaluar.

Ndërkohë, Olivier Faure, lideri i Partisë Socialiste, tha të shtunën se masat e propozuara nga kryeministri deri tani janë “simbolike dhe pa efekt real”.

“Më lejoni të them se mjaft është mjaft, dhe nëse nuk ndryshojnë gjërat, po shkojmë drejt një vote mosbesimi”, tha ai për gazetën Le Parisien, duke shtuar se kryeministri ka afat deri të martën për të paraqitur propozime të kënaqshme./New York Times


Shtuar 5.10.2025 22:59