“Lumë” reagimesh nga SHBA për vdekjen e Navalnyt, Rusia: Perëndimi dëshiron të na shkatërrojë

President i SHBA-së, Joe Biden ka reaguar pas raportimeve për vdekjen e opozitarit Rus Alexei Navalny.

Presidenti amerikan “nuk u befasua”, por tha se ishte “i indinjuar” nga vdekja e Navalnyt, i cili tha se mund të kishte jetuar i sigurt në mërgim, por zgjodhi të kthehej në Rusi.

“Ai u ngrit me guxim kundër korrupsionit, dhunës dhe të gjitha gjërave të këqija që po bën administrata e Putinit”, tha Biden në fjalimin e tij.

“Putin është përgjegjës për vdekjen e Navalny,” tha ai.

Shtëpia e Bardhë “nuk e di saktësisht” se çfarë i mori jetën Navalny dhe po kërkon më shumë informacion rreth asaj që ndodhi.

“Nuk e di saktësisht se çfarë ndodhi me Navalny, por nuk ka dyshim se vdekja e tij ishte pasojë e (veprimeve të) Putinit dhe vrasësve të tij”, tha Biden.

Kamala Harris foli për brutalitetin e Putinit

Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris e përshkroi vdekjen e disidentit rus si një “shembull brutaliteti” nga Putin.

“Është absolutisht e qartë se Putini është përgjegjës,” tha Kamala Harris nga Konferenca e Sigurisë në Mynih që po merr pjesë.

Zëvendëspresidentja e SHBA foli për “dështimin total” të Rusisë në Ukrainë

Kamala Harris ripohoi gjithashtu vendosmërinë e saj dhe të Presidentit Joe Biden për të vazhduar mbështetjen e vendit në mbrojtjen e Ukrainës kundër sulmeve ruse.

“Shumë besonin se Kievi do të binte brenda disa ditësh. Por Kievi është ende në këmbë, falë guximit të popullit ukrainas, falë lidershipit të Volodymyr Zelensky dhe falë mbështetjes së 50 vendeve, të udhëhequra nga SHBA”, tha ajo.

Blinken për Navalny: Nëse konfirmohet, raportet nxjerrin në pah kalbjen në zemër të sistemit të Putinit

Raportet, nëse janë të vërteta, për vdekjen e liderit të opozitës ruse nxjerrin në pah “dobësinë dhe kalbjen” e sistemit që Putin ndërtoi në Rusi, tha Anthony Blinken.

“Para së gjithash, nëse këto raporte janë të sakta, zemrat tona shkojnë për gruan e tij dhe familjen e tij”, tha Blinken nga Mynihu.

“Për më tepër, vdekja e tij në një burg rus, obsesioni dhe frika e një njeriu të caktuar, vetëm sa nënvizon dobësinë dhe kalbjen në zemër të sistemit që ndërtoi Putini. Rusia është përgjegjëse për këtë”, shtoi Blinken.

“Ne do të flasim me shumë vende të tjera që janë të shqetësuara për Alexei Navalny, veçanërisht nëse këto raporte rezultojnë të vërteta,” tha Blinken.

Ndërkohë, këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se Uashingtoni po kërkon konfirmimin e vdekjes së Navalny.
“Nëse konfirmohet, është një tragjedi e tmerrshme”, tha Sullivan në një intervistë me rrjetin publik radiofonik amerikan NPR.

Këshilli i Evropës: Moska mban përgjegjësi për vdekjen e Navalny

Këshilli i Evropës vlerëson se “nuk ka dyshim” se Moska mban “përgjegjësinë e plotë” për vdekjen e disidentit rus.

“Nuk ka dyshim se shteti rus, i cili u përpoq ta helmonte, e burgosi në mënyrë të paligjshme dhe e nënshtronte në mënyrë sistematike ndaj trajtimit çnjerëzor dhe të tmerrshëm, mban përgjegjësi të plotë për vdekjen e tij”, tha Theodoros Roussopoulos, presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropë.

Rusia u përjashtua nga Këshilli i Evropës dy vjet më parë pas pushtimit të Ukrainës.
“Vdekja e Navalny është një humbje e madhe për popullin rus. Si një mbrojtës i guximshëm dhe i vendosur i të drejtave të tij, ai tregoi se si fuqia e së vërtetës mund të sfidojë edhe diktaturat më të forta dhe më shtypëse,” vazhdoi Roussopoulos.

Zjarri i Moskës kundër Perëndimit: Ju jeni përgjegjës për vdekjen e tij, ju doni të na shkatërroni

Një luftë fjalësh ka shpërthyer mes Rusisë dhe Perëndimit pas njoftimit të vdekjes së Navalny. Kryetari i Dumës së Shtetit, dhoma e ulët e Rusisë, Vychislav Volodin, argumentoi se udhëheqësit e Perëndimit dhe Ukrainës janë përgjegjës dhe përfitojnë nga vdekja e Alexei Navalny.

“Emrat e tyre janë të njohur: nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe liderët amerikanë te Olaf Soltz (i Gjermanisë), Rishi Sunak (i Britanisë) dhe Volodymyr Zelensky (ukrainas), të gjithë janë fajtorë për vdekjen e Navalny. Janë ata që me kaq shumë vendime të gabuara po përfitojnë nga vdekja e tij”, ka shkruar ai në Telegram, pa sqaruar këtë akuzë./albeu.com


Shtuar 16.02.2024 20:01