Policia greke ka arrestuar një shtetas shqiptar pas një vale grabitjesh. Ai rezulton të jetë një 44-vjeçar nga Shqipëria, i cili jetonte në zonën e Istiaias, në veri të Evias.
Ngjarja e parë ndodhi të enjten, kur ai mori një automjet nga oborri i një banese në Edipsos dhe u largua drejt Fthiotidës. Një ditë më pas, 44-vjeçari u shfaq në Nea Anhialos, ku hyri me forcë në shtëpinë e një mësueseje dhe mori bizhuteri, orë, një laptop, një tablet si edhe sende të tjera me vlerë.
Të lidhura
None found
Rasti u zbardh pasi mësuesja, e cila kishte rënë pre e vjedhjes, e lokalizoi përmes aplikacionit të gjurmimit shenjën e tabletit në Glyfa, në Fthiotidë.
Menjëherë u njoftua stacioni policor i Stildës, ndërsa efektivët shkuan në Glyfa, ku gjetën tabletin dhe disa prej sendeve të vjedhura brenda makinës së 44-vjeçarit shqiptar. Hetimet treguan gjithashtu se edhe automjeti ishte i vjedhur.
Kur u arrestua, ai ndodhej në plazh dhe u përpoq të largohej, por policia arriti ta prangoste shpejt.
Gjatë verifikimeve u zbulua se ai kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në Greqi që prej vitit 2021 dhe deri tani nuk kishte marrë leje qëndrimi.
