Lufta Rusi-Ukrainë, Putin dhe Zelensky shprehin gatishmëri për negociata

Moska ka shprehur gatishmërinë për të negociuar me Kievin, duke përfshirë edhe një takim të mundshëm mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Pavarësisht debatit mbi legjitimitetin e Zelenskyt, Kremlini nuk e përjashton një dialog të drejtpërdrejtë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga agjencia ruse e lajmeve Tass, theksoi se për Moskën është e rëndësishme një qasje pragmatike dhe ligjore, duke shmangur emocionet. “Në këto raste nuk ka vend për ndjenja, por vetëm për analizë juridike dhe realizëm të plotë,” deklaroi ai.

Ndërkohë, Rusia po zhvillon kontakte edhe me administratën e re amerikane për të adresuar krizën në Ukrainë. Peskov bëri të ditur se këto bisedime po intensifikohen dhe po zhvillohen përmes kanaleve të posaçme diplomatike.

Nga ana tjetër, edhe presidenti Zelensky ka shprehur gatishmërinë për një takim të drejtpërdrejtë me Putinin. “Nëse kjo është e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe për të ndalur vdekjet e qytetarëve tanë, atëherë ne jemi të gatshëm,” u shpreh ai.

Megjithatë, Zelensky ka theksuar nevojën që në tryezën e bisedimeve të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Në këtë kuadër, i dërguari i posaçëm i presidentit Trump, gjenerali Keith Kellogg, ka njoftuar se do të diskutojë me aleatët për mundësitë e arritjes së një zgjidhjeje.

Bisedimet pritet të zhvillohen në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, e cila do të mbahet nga 14 deri më 16 shkurt. “Do të takohem me partnerët tanë që janë të gatshëm të punojnë me ne për t’i dhënë fund kësaj lufte,” u shpreh Kellogg.


Shtuar 5.02.2025 21:28