Lufta/ Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Izraelin të ndalojë ofensivën në Rafah

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Izraelin që të ndalojë ofensivën e tij ushtarake në Rafah në Gazën jugore. Sipas GJND-së, Izraeli duhet të ndalë edhe çdo veprim tjetër në Rafah, që mund të përkeqësojë jetesën e palestinezëve në Rafah të Gazës, si edhe të hapë kalimin në Rafah për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare.

Vendimi u mor nga një panel prej 15 gjyqtarësh nga e mbarë bota, me 13 vota pro dhe dy kundër. Gjyqtari nga Uganda dhe ai nga Izraeli votuan kundër vendimit. Gjykata tha se Izraeli duhet t’iu ofrojë qasje hetuesve në Rafah dhe të raportojnë brenda një muaji për përparimin e bërë.

Vendimi vjen pasi Afrika e Jugut i kishte kërkuar GJND-së që ta urdhëronte Izraelin të ndalojë ofensivën në Rafah, duke thënë Izraeli po kryen gjenocid dhe se po kërcënon mbijetesën e popullit palestinez.

Izraeli e ka bërë të ditur tashmë se, nëse Gjykata do ta urdhëronte të pushonte ofensivën, nuk do të respektonte urdhrin. Madje pas vendimit, avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ajrore në qendër të Rafahut. Kryeministri Izraelit do të ketë një komunikim urgjent me ministrat e kabinetit të luftës.

Çfarë është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë?

GJND-ja, që njihet edhe si Gjykata Botërore, është organi më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara, i themeluar në vitin 1945 për të trajtuar mosmarrëveshjet midis shteteve. Nuk duhet të ngatërrohet me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), gjithashtu në Hagë, e cila trajton rastet e krimeve të luftës kundër individëve.

Kolegji prej 15 gjyqtarësh i GJND-së merret me mosmarrëveshjet kufitare dhe gjithnjë e më shumë çështje të ngritura nga shtetet që akuzojnë të tjerët për shkelje të detyrimeve të Traktatit të OKB-së. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund t’i japë një urdhër një shteti, por nuk e detyron dot atë që ta zbatojë.


Shtuar 24.05.2024 16:52