Liderët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë miratuar mbrëmjen e kësaj të enjteje një vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.
Lajmi u bë i ditur nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë samitit të BE-së në Bruksel.
“Këshilli Evropian sapo vendosi për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën. Urime. Ju e keni vendin në familjen tonë evropiane“, shkroi Michel në rrjetet sociale.
Ai tha se Bosnjës i mbetet tani ta vazhdojë “punën e vështirë” për të arritur përparim të dukshëm për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në bllok.
“Vendimi i sotëm është hap kyç përpara në rrugën e juaj evropiane”, shtoi ai.
Për t’i nisur negociatat e anëtarësimit tash Këshilli i BE-së, me propozim të Komisionit Evropian, duhet të miratojë kornizën e bisedimeve.
Për këtë, Bosnja e Hercegovina duhet të bëjë më shumë reformat të caktuara nga BE-ja, para se të fillojnë bisedimet.
Bosnja e Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.
Në samitin e dhjetorit të vitit 2023, BE-ja kishte shprehur gatishmërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, me disa kushte.
Ndërsa me 12 mars të këtij viti, Komisioni Evropian dha rekomandimin që të merret vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.
Bosnja është një nga gjashtë vendet në rajon, Shqipëria, Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE.
Kosova është e vetmja nga këto vende që ende nuk e ka as statusin e vendit kandidat.
Cilat janë hapat pas hapjes së negociatave?
Pas hapjes së negociatave, Komisioni Evropian i dërgon kuadrin e negociatave Këshillit Evropian.
Pas kësaj, Këshilli Evropian miraton kornizën e negociatave, pas së cilës mbahet një konferencë ndërqeveritare, e cila zyrtarisht fillon negociatat për anëtarësim.
Më pas hapen dhe mbyllen kapitujt, pas së cilës Komisioni Evropian miraton një opinion pozitiv për mbylljen e kapitullit. Hapi tjetër është që Parlamenti Evropian të miratojë anëtarësimin.
Më pas vijon nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociimit ndërmjet BE-së dhe vendit kandidat. Pas kësaj, çdo shtet anëtar i BE-së duhet ta ratifikojë Marrëveshjen e Asociimit.
Hapi tjetër është që vendi kandidat të ratifikojë marrëveshjen dhe hapi i fundit është që Marrëveshja e Asociimit të hyjë në fuqi./REL