Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, ka bërë thirrje për bisedime me Korenë e Veriut, me synimin që lufta mes dy vendeve të mbyllet zyrtarisht. Konflikti u ndal në vitin 1953 përmes një armëpushimi, por palët nuk nënshkruan asnjëherë një traktat paqeje.
Të lidhura
None found
Gjatë ceremonisë për Ditën e Çlirimit, e cila përkujton çlirimin e Gadishullit Korean nga sundimi japonez, Lee u bëri thirrje të dyja palëve të heqin dorë nga kërcënimet e ndërsjella dhe të nisin dialogun si vende të përfshira drejtpërdrejt në konfliktin e gjatë.
“Le të braktisim qëllimet tona për të kërcënuar njëri-tjetrin dhe të fillojmë bisedimet për t’i dhënë fund luftës së gjatë si palë të përfshira drejtpërdrejt”, deklaroi ai.
Lee paraqiti gjithashtu idenë e një “sistemi sigurie shumështresor”, i cili do të synonte shmangien e tensioneve përgjatë Zonës së Demilitarizuar (DMZ), kufirit de facto mes dy vendeve. Ai shprehu gatishmërinë për të diskutuar edhe hapa praktikë që mund të frenojnë ambiciet bërthamore të Phenianit.
Sipas presidentit koreano-jugor, dy vendet duhet “të ulen ballë për ballë për bashkëjetesë paqësore dhe zhvillim të ndërsjellë”. Një dialog i tillë, shtoi ai, mund të shërbejë edhe si hapësirë për shqyrtimin e “mënyrave efektive për të ndaluar përparimin e aftësive bërthamore të Koresë së Veriut”.
Pheniani ka kryer vazhdimisht prova me raketa balistike bërthamore. Sipas BBC-së, në Seul dhe në Japoninë fqinje këto testime shihen si përpjekje për frikësim dhe demonstrim force.
Megjithëse përplasja ushtarake mes dy fuqive në Gadishullin Korean ka mbetur kryesisht e ngrirë që prej armëpushimit të vitit 1953, dekadat pasuese janë shoqëruar me incidente dhe tensione përgjatë Zonës së Demilitarizuar. Të dyja palët vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për provokime, përfshirë lëshimin e tullumbaceve me mbeturina ose materiale propagandistike, si edhe përdorimin e altoparlantëve për transmetimin e propagandës.
Lee mori detyrën e presidentit të Koresë së Jugut vitin e kaluar, pasi paraardhësi i tij, Yun Suk-yeol, u nxor në gjyq për përpjekjen për të shpallur ligj ushtarak. Që prej ardhjes në pushtet, ai ka synuar të përmirësojë raportet me Korenë e Veriut dhe me aleaten e saj, Kinën, marrëdhënie që ishin përkeqësuar gjatë drejtimit të Yun.
Në vitin 2022, Koreja e Veriut e shpalli veten fuqi bërthamore dhe u zotua se nuk do t’i dorëzonte kurrë armët e saj bërthamore. Vlerësohet se vendi zotëron dhjetëra armë të tilla.
Lee ka deklaruar më herët se Pheniani prodhonte nga 15 deri në 20 koka bërthamore çdo vit. Në një intervistë për BBC-në vitin e kaluar, ai tha se do të mbështeste një marrëveshje mes Donald Trump dhe Kim Jong Un për ngrirjen e prodhimit. Ai e cilësoi këtë si një objektiv “realist”, ndërkohë që Seuli vijonte përpjekjet për denuklearizim të plotë.
Deri tani, Koreja e Veriut nuk i është përgjigjur nismës së Lee-së. Pheniani i ka refuzuar edhe më parë propozimet e tij për dialog.
