Izraeli do të lejohet të konkurrojë në festivalin e këngës Eurovision pasi ndryshoi tekstin e këngës së tij, kanë konfirmuar organizatorët.
Eden Golan, përfaqësuesi i Izraelit për konkursin “Eurovision 2024”, fillimisht kishte paraqitur një baladë të quajtur “October Rain (Shiu i Tetorit)”, e cila mendohet gjerësisht se i referohej sulmeve të Hamasit më 7 tetor. Megjithatë, kënga u ndalua me arsyetimin se shkeli rregullat për neutralitet politik, shkruan The Guardian.
Pas një premtimi fillestar për mos ndryshimin e tekstit, transmetuesi publik i Izraelit Kan, i cili është përgjegjës për zgjedhjen e përfaqësuesit të vendit, më vonë u pajtua të ndryshojë këngën pas thirrjes së presidentit izraelit Isaac Herzog për “rregullime të nevojshme” për të siguruar pjesëmarrjen e saj. Transmetuesi kombëtar tha: “Presidenti theksoi se veçanërisht në këtë kohë, kur ata që na urrejnë kërkojnë të na largojnë dhe të na bojkotojnë nga çdo skenë, Izraeli duhet të shprehë zërin e tij me krenari dhe kokën lart dhe të ngritë flamurin e tij në çdo forum botëror, veçanërisht këtë vit”.
Versioni i përditësuar i këngës, tani me titull “Hurricane (Uragani)”, do të ndahet këtë fundjavë
Në një deklaratë, Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU), i cili organizon konkursin, tha: “EBU mund të konfirmojë se paraqitja zyrtare nga anëtari i tij izraelit Kan është konsideruar e përshtatshme për të konkurruar në festivalin e këngës Eurovision në maj. “Grupi i referencës së konkursit, bordi i tij qeverisës, mori vendimin për të pranuar këngën ‘Hurricane’ për konkursin e ardhshëm pas një shqyrtimi të kujdesshëm të tekstit. “U dakordua se ‘Hurricane’ përmbushi kriteret e nevojshme për pjesëmarrje në përputhje me rregullat e konkursit”.