I NXEHTI/ 47 mijë të vdekur në Evropë gjatë 2023-it, viti 2024 pritet të jetë edhe më tragjik

I nxehti i vitit që lamë pas mori jetët e rreth 47 mijë personave në kontinentin e Evropës.

Sipas hulumtimeve të Institutit të Barcelonës për shëndetin global situata në vendet jugore në kontinentin e vjetër ka qenë shumë më e rënda nga sa mund të dukej.

Teksa 2023-shi ka qenë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, ISGlobal tregoi se vendet më të prekura ndaj valëve të të nxehtit ishin Greqia, Bullgaria, Italia dhe Spanja.

Nga ana tjetër, sipas hulumtimet spanjolle numri i vdekjeve në vitin 2023 do të kishte qenë 80% më i lartë po të mos ishin zbatuar masat e 20 viteve të fundit për të ndihmuar njerëzit të përshtaten me temperaturat në rritje, si sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe përmirësimet në kujdesin shëndetësor, sipas raportit të qendrës kërkimore spanjolle.

“Përfundimet tona tregojnë se gjatë këtij shekulli janë ndërmarrë hapa që shoqëria të përshtatet me temperaturat e larta, që kanë reduktuar në mënyrë dramatike pasojat e nxehtësisë dhe shkallën e vdekshmërisë, veçanërisht mes të moshuarve”, tha Elisa Gallo, studiuese në ISGlobal dhe autore e studimit.

Studiuesit përdorën të dhënat e vdekjeve dhe temperaturës nga 35 vende evropiane. Ndërkohë që temperaturat vazhdojnë të ngrihen për shkak të ndryshimeve klimatike, evropianët janë ata që po jetojnë në kontinentin me ngrohjen më të shpejtë në botë, duke u përballur me rreziqe në rritje për shëndetin.

Sa i përket viteve që lamë pas, viti 2003 mban rekordin e vdekjeve në Evropë për shkak të valëve të të nxehtit teksa u regjistruan 70 mijë vdekje. Më pas vjen viti 2022, ku u shënuar 60 mijë vdekje.


Shtuar 14.08.2024 15:40