Hezbollahu merr përgjegjësinë për gjuajtjen e mbi 200 raketave në bazat ushtarake izraelite

Grupi militant Hezbollah i Libanit ka marrë përgjegjësinë për gjuajtjen e mbi 200 raketave në baza ushtarake izraelite, si përgjigje e sulmit izraelit që vrau komandantin e lartë të grupit.

Sulmi është konfirmuar edhe nga ushtria izraelite e cila tha se “predha të shumta dhe objektiva të dyshimta ajrore” kishin hyrë në territorin e saj nga Libani, shumë prej të cilave ishin kapur. Gjithashtu, nuk ka raportime të menjëhershme për viktima.

Bëhet e ditur se së fundmi ushtria e Izraelit ka vrarë komandantin Mohammad Naameh Nasser, i cili drejtonte një nga tre divizionet rajonale të Hezbollahut në Libanin e Jugut.

Disa orë më vonë, Hezbollahu lëshoi një numër të madh raketash Katyusha dhe Falaq me koka të rënda luftarake në veri të Izraelit dhe lartësitë siriane të Golanit, shkruan euronews.

Siç raportohet, sulmi shënon një nga sulmet më të mëdha në konfliktin e vazhdueshëm përgjatë kufirit Izrael-Liban, mes tensioneve të rritura.

Mes frikës së përshkallëzimit rajonal, SHBA-ja dhe Franca po punojnë në mënyrë aktive për të parandaluar që situata të përshkallëzohet më tej në një konflikt më të gjerë, për të cilin ata kanë frikë se mund të përhapet në të gjithë rajonin.

Ndërkohë, zyrtarët izraelitë thonë se mund të vendosin të shkojnë në luftë me Libanin nëse përpjekjet për një zgjidhje diplomatike dështojnë. Ndryshe, luftimet midis këtyre dy shteteve kanë zhvendosur dhjetëra mijëra njerëz në të dy anët e kufirit. Në veri të Izraelit janë vrarë 16 ushtarë dhe 11 civilë.


Shtuar 4.07.2024 17:31