PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë kundërshtuar shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026.
Gjatë seancës së sotme të Kuvendit, përfaqësuesit e opozitës pretenduan se rishikimi po bëhet për të mbuluar shpenzime prej 122 milionë eurosh. Sipas tyre, këto shpenzime lidhen me vendimin e Qeverisë për pagesën e pagës së 13-të në mars të këtij viti.
Të lidhura
None found
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se propozimi nuk sjell ndryshime përmbajtësore që u përgjigjen nevojave të komunave të Kosovës dhe organizatave të tjera buxhetore që kanë mbetur pa investuar në projekte, raporton KosovaPress.
Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, u shpreh kundër projektligjit. Ai e cilësoi vendimin e Qeverisë si të paligjshëm dhe pretendoi se ndryshimi i ligjit po kërkohet për të mbuluar shpenzimet prej 122 milionë eurosh, të kryera, sipas tij, që nga muaji i parë i këtij viti. Hoti tha se ligji është shkelur dhe se projektligji ka probleme si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje.
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ngriti shqetësimin për pasojat që, sipas saj, rishikimi ka sjellë për financat e komunave të Kosovës. Ajo tha se komunat janë dëmtuar me 10 milionë euro dhe pyeti se ku po shkojnë këto mjete.






