Erdogan: Gati për të mbrojtur integritetin e Sirisë

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan paralajmëron se do të ndërhyjë ushtarakisht për të mbrojtur Sirinë, nëse integriteti territorial i këtij vendi cënohet.

“Ne nuk do të pranojmë shpërbërjen e Sirisë ose përçarjen e strukturës së saj unitare nën asnjë maskë. Nëse shohim rrezik në këtë drejtim, do të ndërmarrim shpejt hapat e nevojshëm.“

Duke folur pas një mbledhjeje qeverie, kreu i shtetit turk kërcënoi militantët kurdë të konsideruar si terroristë nga Ankaraja dhe që kanë nën kontroll që nga Pranvera Arabe një pjesë të madhe të veri-lindjes së Sirisë.

“Ata që zgjedhin terrorin dhe dhunën do t’i futim në dhe megjithë armët e tyre.“

Turqia synon të ndihmojë liderin e ri Mohamed Al-Golani të plotësojë vakumin e sigurisë, që la pas rënia e regjimit të Bashar al-Asadit i cili pas luftës civile që pasoi Pranverën arabe, nuk riktheu dot më kontrollin në gjithë territorin. Izraeli pushtoi pjesën siriane të lartësive Golan, por tha se kjo ishte e përkohshme për çështje sigurie.


Shtuar 7.01.2025 23:25

Tags: ,