E mitura që u vra nga daja i saj përcillet me lotësh për në banesën e fundit, shtëpisë së autorit i vihet flaka

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë, ku një 37-vjeçar ka vrarë mbesën e tij 11-vjeçare pasi tentoi ta përdhunonte. E mitura është përcjellë sot për në banesën e fundit mes lotësh të familjarëve dhe të afërmëve.

Ndërkohë pak minuta para varrimit të saj, banesës së dajës vrasës i është vënë zjarri. Sipas mediave greke, ai jetonte aty me familjen e tij. Tashmë familjarët e bashkëshortes së autorit janë në pozitë të vështirë pasi u kërkohet të kërkojnë falje për veprimet e tmerrshme të 37-vjeçarit. Ky i fundit është arrestuar nga policia dhe do të përballet me drejtësinë, nën akuza të rënda, duke përfshirë vrasje nga pakujdesia, tentativë përdhunimi, rrëmbim, grabitje me armë dhe armëmbajtje.

Ajo që vrasësi i 11-vjeçares së ndjerë, Vasilika, deklaroi para policëve në Greqi ka shkaktuar neveri dhe tmerr në opinionin publik. 37-vjeçari, të cilit 11-vjeçarja i besonte si pjesëtar i familjes së ngushtë, përshkroi se si kishte planifikuar ta përdhunonte fëmijën, duke i kërkuar që nga mëngjesi i së dielës të dilte për shëtitje në orët e vona të pasdites, po të njëjtën ditë. Duke vazhduar përshkrimin e tij, ai ka rrëfyer se kishte ndërmend ta përdhunonte vajzën.

“Kur dola nga shtëpia e saj, që të mos shiheshim, shkova dhe e prita. Ajo erdhi me vullnetin e saj të lirë. Shkuam në një mini market dhe morëm pije freskuese. Kur arritëm atje ku po shkonim, e mora për dore dhe i thashë të kryenim marrëdhënie. Ajo më tha jo dhe se do t’u tregonte prindërve të saj”, ka deklaruar ai.

Vrasësi, i cili nuk ishte i gatshëm të pranonte “jo”-në, më pas përshkruan momentet e vrasjes.

“U ngatërrova, e hodha poshtë dhe fillova ta gozhdoja me kaçavidë në qafë dhe në shpinë. E kapa nga flokët dhe e tërhoqa zvarrë në fushë. Aty dëgjova një “ah” dhe më pas asgjë. E hodha në kallamishte dhe shkova në shtëpinë e nënës sime”, tha ai.


Shtuar 12.06.2024 20:43

Tags: