Pjesëtarët e familjes mbretërore i dhanë lamtumirën e fundit dy ditë më parë Princit Philip, i cili ndërroi jetë në moshën 99-vjeçare. Në funeralin e tij ishte e pranishme Mbretëresha Elizabeth, së bashku me djalin e saj, Princin Charles, nipërit, William dhe Harry etj. Gjatë ceremonisë mbretëresha u shfaq mjaft e prekur, duke qenë se mbi 70 vite të jetës së saj i kaloi e martuar me Princin Philip.
Për t’i thënë lamtumirën e fundit bashkëshortit të saj, Mbretëresha Elizabeth la dhe një shënim mbi arkivolin e të ndjerit. Shënimi u kap nga disa fotografë dhe në të dallohej se ishte shkruar “Të dua” dhe “Lilibet”.
“Lilibet” është një nofkë që Mbretreshës ia kanë vendosur kur ajo ka qenë fëmijë dhe Duka i Edinburgh e përdorte kur i drejtohej bashkëshortes me përkëdheli në letrat e tij. Elizabeth u shfaq e vetme gjatë funeralit të djeshëm, për shkak të rregullave anti-Covid dhe në ceremoni morën pjesë vetëm 30 persona.
Jeni kuriozë të dini ç’domethënie kishte muzika e luajtur në funeralin e Princit?
Ai planifikoi vetë për 18 vite çdo detaj të varrimit të tij, teksa kishte kërkuar që të luhej “Eternal Father, Strong to Save” (“For Those in Peril on the Sea” ) nga William Whiting. Kjo këngë kishte një domethënie të madhe për Princin, pasi është frymëzuar nga jeta e rrezikshme detare. Kujtojmë se Princi Philip shërbeu në Marinën Mbretërore për 14 vite, ndaj kjo ishte një këngë e përshtatshme për përcjelljen e tij në banesën e fundit.
“The Jubliate” u luajt si këngë gëzimi dhe përfshiu një referencë për hyrjen në “portat e Zotit me falënderime”.
Gjithashtu, në ceremoninë e tij mortore u luajt gjithashtu “Action Stations”, që njihet si alarmi i Marinës Mbretërore.
Në përcjelljen e Princit për në banesën e fundit u luajtën edhe “Adagio Expressivo” nga Sir William Harris, “Salix” nga Percy Whitlock, “Berceuse” nga Louis Vierne dhe himni kombëtar.