Bota pas Covid është një botë tjetër

Shumica mezi presin të kthehen në jetën e mëparshme. Por disa gjëra nga periudha e Coronas do të mbesin. Politikanët, sipërmarrjet dhe shoqëria duhet të gjejnë një përgjigje për këtë, thotë Gero Schliess.

Kush jam unë, dhe nëse po, sa vetë? Me këtë pyetje disi komplekse, filozofi modern Richard David Precht i çoi dikur lexuesit e tij në një udhëtim zbulimi të vetes.

Aktualisht, shumë njerëz ia bëjnë sërish këtë pyetje vetes. Njerëz, të cilët më në fund po shohin dritë në fund të tunelit pas muajsh mbylljeje në periudhën që po agon pas koronës. Drita e normalitetit, pritja e një vere të shkujdesur siç e kemi dëshiruar në shumë muaj distancë dhe të ndenjjes në vend.

Jam akoma ai që isha?

Por papritmas ti ndalon dhe e pyet veten me dyshim: A jam ende ai që kam qenë? A jam akoma ai që isha para Coronas? Sa kam ndryshuar? Dhe si do të përshtatem me këtë botë të re, të vjetër?

Politikanët i shpallin me krenari shifrat gjithnjë e më të ulëta të incidencës javore të infektimeve. Në Gjermani duket se po e vendosim Corona-n nën kontroll. Kjo është një arsye për t’u gëzuar – jo vetëm për kancelaren Angela Merkel dhe Ministrin e Shëndetësisë, Jens Spahn.

Por përtej shifrave anonime, individi shpesh harrohet. Kur bëhet fjalë për veten tonë, për çdo individ, shifrat e rënies së incidencës shpesh kanë përballë një kurbë në rritje të shqetësimeve dhe frikës.

Jo sukses i sigurt

Sepse një gjë është e qartë: rruga në pandemi ishte shkëmbore dhe stresuese. Rruga për të dalë nga pandemia nuk është aspak sukses i sigurt.

Kjo nuk vlen vetëm për pacientët më pasoja afatgjata mtë COVID ose për grupin e madh të atyre që janë shëruar, të cilët, sipas një studimi në revistën e specializuar britanike “The Lancet Psychiatry”, luftojnë mbi mesataren me çrregullime ankthi dhe me luhatje humori. Dhe kjo nuk vlen vetëm për njerëzit e panumërt, që u ekspozuan ndaj dhunës në familje ose që vuajnë nga trauma të tjera.

Shijimi i ritmit më të ngadaltë të jetës

Si është puna, për shembull, me fëmijët që i patën mësimet pa prani fizike dhe pa shokët e shkollës për shumë muaj? Ose fare thjesht: si është puna me ne, që mendojmë se e kaluam fare mirë në të vërtetë kohën e izolimit dhe veçimit? Me ne, që ishim në gjendje të nxirrnim ndonjë përfitim nga ritmi më i ngadaltë i jetës, që punuam me zell që nga shtëpia, por që ishim edhe shumë me qejf vetëm? Dhe që mund të bënim pa çmendurinë e biznesit të mbinxehur dhe superambicien profesionale.

Rruga për të dalë nga pandemia nuk është sukses i sigurt as për këta njerëz. Studimet shkencore ose të dhënat e shoqërive të sigurimeve shëndetësore tregojnë se pandemia ka goditur shumë psikikën e njerëzve. Fenomen i përhapur është një tendencë e shtuar për depresion. Ato mbeten – dhe nuk zhduken automatikisht me virusin.

Dhe është e papranueshme që kohët e pritjes për psikoterapi ambulatore në Gjermani po zgjaten gjithnjë e më shumë dhe se, sipas “Shoqatës së Psikoterapistëve Psikologjikë”, pacientëve u duhet të presin deri 22 javë.

Bota ka ndryshuar

Fatkeqësisht, politikanët nuk patën vepruar në mënyrë aktive në zgjerimin e gamës së shërbimeve këshilluese. Si kudo tjetër, në institucionet e mëdha mund të vërehet një tendencë për “biznes si zakonisht” të përshpejtuar dhe të pandjeshëm. Një shembull i mirë për këtë zakon të keq të përhapur është thirrja ë sipërmarrësve që punonjësit e tyre tani të jenë aq të mirë sa të kthehen nga shtëpia në tryezat e sipërmarrjeve.

Punonjësi, i cili sapo është vlerësuar për zhdërvjelltësinë e tij, fërkon sytë me habi. Dhe me të gjithë ata që ndërkohë kanë konstatuar: pas Coronas situata nuk është e njëjtë si para Coronas. Jo vetëm që ne kemi ndryshuar, por ka ndryshuar edhe bota përreth nesh. Riorganizimi i botës së punës, lehtësitë e komunikimit digjital ose rikujtimi i së veçantës rajonale nuk duhet të degradohen në një viktimë emergjente të lidhur me pandeminë. Përkundrazi, ato duhet të jenë pjesë e një riorganizimi të mjedisit tonë dhe ripërcaktimit të jetës sonë.

Le ta nisim me këtë. Le të frymëzohemi nga takimi me një realitet të ri! Përndryshe të gjitha sakrificat në luftën kundër Coronas do të shkojnë dëm./DW


Shtuar 10.06.2021 10:18