Blinken vizitë të paparalajmëruar në Kiev! Rusia bombardon Kharkivin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Ukrainë ndërsa armët nga një paketë e re ndihme amerikane kanë filluar të shkojnë në vijën e frontit. Kjo ishte një vizitë e paparalajmëruar, ndërsa Blinken mbërriti gjatë Natës në Kiev me një udhëtim me tren nga Polonia. Kjo është vizita e katërt e tij në Ukrainë që prej nisjes së luftës.

Blinken do të takohet me presidentin Volodymyr Zelensky, kryeministrin Denys Shmyhal, dhe ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, kryediplomati amerikan dhe udhëheqja ukrainase do të diskutojnë për “më të rejat nga fushëbeteja, për ndikimin e ndihmës së re amerikane në fushën e sigurisë dhe ekonomisë dhe për zotimet afatgjata për siguri dhe zotime të tjera”.

Vizita e Blinken vjen ndërsa ushtria ukrainase po përballet me sulme të ashpra nga Rusia, sidomos në rajonin e Kharkiv, i cili u sulmua mbrëmë. Ushtria e Ukrainës pranoi se Rusia “po arrinte sukses taktik” pasi filloi një sulm tokësor të premten që rezultoi në evakuimin e afro 6,000 njerëzve. Por presidenti Volodymyr Zelensky theksoi se Ukraina kishte dërguar përforcime dhe se një “kundërsulm” ishte duke u zhvilluar:

Blinken ka mbërritur në Kiev 3 javë pasi Kongresi amerikan miratoi ndihmën prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Përpara mbërritjes së Blinken në Kiev, një zyrtar i lartë amerikan tha se armët e financuara nga Amerika që mbërrijnë tani në vijën e frontit përfshinin interceptorë të mbrojtjes ajrore, artileri dhe raketa me rreze të gjatë veprimi ATACMS.

“Ne kemi filluar tashmë të dërgojmë artileri dhe ATACMS me rreze të gjatë, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore që synojnë të përmbushin nevojat më urgjente”, tha zyrtari.


Shtuar 14.05.2024 16:37