Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë të shtunën, tha se ka “një mundësi e jashtëzakonshme” në muajt e ardhshëm që Izraeli të normalizojë lidhjet me fqinjët arabë. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e krijimit të një shteti palestinez.
Blinken shtoi se po bëhen përpjekje reale nga vendet arabe për të rikthyer Autoritetin Palestinez dhe për ta bërë atë më efektiv në përfaqësimin e interesave të popullatës palestineze.
“Pothuajse çdo vend arab tani dëshiron të integrojë Izraelin në rajon për të normalizuar marrëdhëniet…për të ofruar angazhime dhe garanci në mënyrë që Izraeli të ndjehet më i sigurt,” tha zoti Blinken në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih.
“Dhe gjithashtu, mendoj se është më urgjente se kurrë që të vazhdojmë përpekjet drejt një shteti palestinez që garanton gjithashtu e Izraelit,” shtoi ai.
Administrata e presidentit Biden është angazhuar për të siguruar një marrëveshje për normalizimin e lidhjeve midis Arabisë Saudite dhe Izraelit.
Arabia Saudite dhe vendet e tjera arabe kërkojnë krijimin e një shteti palestinez si pjesë të marrëveshjes. Uashingtoni po punon gjithashtu për të arritur një marrëveshje për të siguruar lirimin e pengjeve izraelitë të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor.
Marrëveshja për pengjet dhe një pauzë humanitare shihen si thelbësore për të ndihmuar në avancimin e bisedimeve për një marrëveshje normalizimi midis Arabisë Saudite dhe Izraelit.