Blinken mbërrin në Izrael mes përpjekjeve për një marrëveshje armëpushimi në Gazë

Sulmet izraelite në Gazë vranë 19 veta gjatë natës, mes tyre një grua dhe gjashtë fëmijët e saj, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti në Izrael në fillim të një vizite në Lindjen e Mesme, në kuadrin e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, pas muajsh negociatash të vështira.

Shtetet e Bashkuara dhe dy vendet tjera ndërmjetësuese, Egjipti dhe Katari, dukej se po shënonin përparim në përpjekjet për një marrëveshje, pas dy ditë bisedimesh në Doha. Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë kanë shprehur një optimizëm të përmbajtur. Por Hamasi ka sinjalizuar rezistencë ndaj atyre që thotë se janë kërkesa të reja nga Izraeli.

Sipas propozimit, procesi do të ketë tre faza. Fillimisht Hamasi duhet të lirojë të gjitha pengjet që mban ende që nga rrëmbimi i tyre gjatë sulmit të 7 tetorit, i cili shkaktoi luftën më vdekjeprurëse të zhvilluar ndonjëherë midis izraelitëve dhe palestinezëve. Në këmbim, Izraeli do të tërhiqte forcat e tij nga Gaza dhe do të lironte të burgosur palestinezë.

Ndërmjetësit po shpresojnë t’i japin fund luftës që ka shkaktuar vdekjen e mbi 40,000 palestinezëve, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, ka zhvendosur shumicën dërrmuese të 2.3 milionë banorëve të territorit dhe ka shkaktuar një katastrofë humanitare. Ekspertët kanë paralajmëruar për përhapje të mëtejshme të urisë dhe pasojat e shpërthimit të sëmundjeve si poliomieliti.

Militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 veta, kryesisht civilë, në sulmin e 7 tetorit dhe rrëmbyen rreth 250 veta. Prej tyre, rreth 110 besohet se janë ende brenda Gazës, ndërsa autoritetet izraelite që thonë se rreth një e treta janë të vdekur. Më shumë se 100 pengje u liruan në nëntor gjatë një armëpushimi njëjavor.

Bombardimet e fundit izraelite përfshijnë një sulm të dielën herët në një shtëpi në qytetin qendror të Deir al-Balah që vrau një grua dhe gjashtë fëmijët e saj, sipas Spitalit të Martirëve Al-Aksa. Një reporter i agjencisë së lajmeve Associated Press, numëroi trupat në spital.

Një sulm në qytetin verior Jabaliya, goditi dy apartamente në një ndërtesë banimi, duke vrarë dy burra, një grua dhe vajzën e saj, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Një tjetër sulm në Gazën qendrore vrau katër persona, sipas Spitalit Awda. Të shtunën vonë, një sulm pranë qytetit jugor të Khan Younis vrau katër persona nga e njëjta familje, duke përfshirë dy gra, sipas spitalit Nasser.

Izraeli thotë se vë në shënjestër vetëm militantët dhe fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve, duke fshehur luftëtarë, armë, raketa dhe duke hapur tunele në zonat e banuara. Por bombardimet izraelite prej muajsh kanë zhdukur familje të tëra dhe kanë lënë jetimë mijëra fëmijë.

Ndërmjetësit po përpiqen prej disa muajsh për të ndalur luftimet, përpjekje që u bënë më emergjente pas vrasjes së dy militantëve kryesorë muajin e kaluar, që nxitën zotimet për hakmarrje nga Irani dhe Hezbollahu në Liban, duke rritur frikën për një luftë në shkallë të gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Një zyrtar amerikan tha të premten se ndërmjetësit po fillonin përgatitjet për zbatimin e propozimit të fundit të armëpushimit dhe zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, shprehu “optimizëm të kujdesshëm” se një marrëveshje mund të arrihet.

Një delegacion izraelit do të udhëtojë në Kajro të dielën për bisedime të mëtejshme dhe sekretari Blinken pritet të takohet me Kryeministrin Benjamin Netanyahu të hënën.

Hamasi ka shprehur dyshime që marrëveshja mund të arrihet së shpejti, duke thënë se propozimi i fundit ndryshonte ndjeshëm nga një propozim i mëhershëm që e kishte pranuar në parim. Hamasi ka refuzuar kërkesat e Izraelit për një prani të qëndrueshme ushtarake përgjatë kufirit Gazë-Egjipt dhe një pikë në Gazë për kontrollin e palestinezëve që kthehen në shtëpitë e tyre. Izraeli thotë se të dyja janë të nevojshme për të mos lejuar riarmatosjen dhe rikthimin e militantëve në veri.

Izraeli dha shenja se mund të tërhiqet nga korridori kufitar dhe një takim midis zyrtarëve ushtarakë egjiptianë dhe izraelitë është planifikuar për javën e ardhshme për të diskutuar mbi mekanizmin e tërheqjes, sipas dy zyrtarëve egjiptianë, të cilët folën me kusht që të mos identifikohen, meqë nuk ishin të autorizuar për të diskutuar mbi negociatat./VOA


Shtuar 18.08.2024 23:28

Tags: ,