Një ngjarje e rëndë goditi festivalin “Salsa on St. Clair” në Toronto, ku dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur pasi të paktën dy persona të armatosur hapën zjarr mes turmës. Ky aktivitet konsiderohet festivali më i madh i kulturës latine në Kanada.
Të lidhura
None found
Policia e Torontos njoftoi se gjashtë persona janë qëlluar me armë zjarri, ndërsa disa të dyshuar vazhdojnë të jenë në arrati. Autoritetet kanë izoluar tre skena krimi dhe kanë sekuestruar dy armë zjarri, duke sqaruar se për momentin nuk ekziston më rrezik për publikun.
Zëvendësshefi i Policisë së Torontos, Frank Barredo, tha se të dhënat paraprake të hetimit tregojnë se ngjarja lidhet me një shkëmbim zjarri mes dy personave që kishin në shënjestër njëri-tjetrin.
“Ky dukej të ishte një shkëmbim zjarri midis dy individëve që synonin njëri-tjetrin”, u shpreh ai.

Pamjet e publikuara nga mediat lokale shfaqin pjesëmarrës që largohen me vrap nga zona në gjendje paniku, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë dhjetëra automjete policie, mjete të blinduara dhe ambulanca.
Policia theksoi se zona u vu nën kontroll rreth një orë pas të shtënave, por u bëri thirrje qytetarëve të shmangin vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim. “Salsa on St. Clair” organizohet prej 22 vitesh dhe mbetet një nga aktivitetet kulturore më të mëdha në Toronto, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë.

Kryetarja e Bashkisë së Torontos, Olivia Chow, e dënoi ashpër sulmin dhe e përshkroi atë si një akt të pamatur dhe të neveritshëm.
“Ky ishte një akt dhune i pamatur dhe i neveritshëm në një festival të mbushur me njerëz. Do të sigurohem që Policia e Torontos të ketë të gjitha burimet e nevojshme për të gjetur përgjegjësit dhe për të vazhduar luftën kundër armëve në rrugët tona”, deklaroi ajo.
Pas ngjarjes reagoi edhe kryeministri kanadez, Mark Carney, i cili tha se ishte “i tmerruar” nga sulmi.
“Lutjet e mia janë me familjet që humbën të dashurit e tyre dhe me të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje e tmerrshme”, tha Carney.
Rasti sjell sërish në qendër të debatit shqetësimet për dhunën me armë në Kanada. Ndonëse vendi ka rregulla dukshëm më të ashpra për armët krahasuar me Shtetet e Bashkuara dhe të shtënat masive mbeten relativisht të rralla, episode të tilla vijojnë të tronditin opinionin publik. Pas sulmit më vdekjeprurës në historinë moderne të vendit, në Nova Scotia në vitin 2020, qeveria kanadeze miratoi reforma të gjera dhe ndaloi përdorimin e armëve.
