BE i vendos sanksione anëtarit të grupit Wagner në Sudan

Bashkimi Evropian ka sanksionuar një shtetas rus dhe filialin e Wagner Group të Rusisë në Sudan.

Meroe Gold dhe Mikhail Potepkin i filialit Wanger, janë sanksionuar nga BE për shfrytëzim të pasurive të arit të Sudanit, pas një hetimi të CNN mbi aktivitetet e grupit korrikun e kaluar.

Ata akuzohen “për abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturat dhe ekzekutimet dhe vrasjet jashtëgjyqësore, të përmbledhura ose arbitrare, në disa vende, përfshirë Sudanin.”

“Mikhail Potepkin është drejtor i Meroe Gold, një kompani për operacionet e Wagner Group në Sudan, dhe është i përfshirë në aktivitetet e M-Invest, kompania mëmë e Meroe. Ai ka një rol udhëheqës në Grupin Wagner në Sudan dhe ka lidhje të ngushta me Yevgeny Prigozhin”, thuhet në një deklaratë nga Këshilli Evropian.

Një hetim i CNN korrikun e kaluar ishte i pari që ekspozoi mekanizmin me të cilin Wagner dhe Meroe Gold po vepronin në Sudan, duke anashkaluar sanksionet e SHBA ndaj grupit.

Hetimi zbuloi se, Rusia i dha mbështetje të fuqishme politike dhe ushtarake Sudanit, ndërsa ky i fundit po shtyp me dhunë lëvizjen pro-demokratike të vendit.

Pavarësisht mohimeve të Yevgeny Prigozhin, Këshilli Evropian ka deklaruar se Meroe Gold vazhdoi të operojë në Sudan si një “mbrojtje për operacionet e Grupit Wagner” nëpërmjet një kompanie guaskë sudaneze.

“Përmes lidhjes së tij me ushtrinë sudaneze, Grupi Wagner ka siguruar të drejtën për të nxjerrë arin sudanez dhe për ta eksportuar atë në Rusi”, thuhet në deklaratën e Këshillit Evropian.


Shtuar 27.02.2023 19:17