Analiza e “Deutsche Welle”: Si mund të reflektohet përplasja mes SHBA-së dhe Europës në Ballkanin Perëndimor?

Përplasja e Donald Trump me Europën nuk kufizohet te Groenlanda dhe NATO-ja. Një tjetër rivalitet, më pak i zhurmshëm, po zhvillohet paralelisht në Ballkan.

Të lidhura

None found

Pas shkatërrimeve që sollën luftërat e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 1990, Shtetet e Bashkuara dhe Europa vepruan së bashku për rindërtimin e rajonit. Sot, megjithatë, mes tyre po zhvillohet një konkurrencë për ndikim, pushtet dhe interesa financiare.

Çfarë pasojash mund të ketë ky rivalitet për Ballkanin?

Me termin Ballkani Perëndimor, Bashkimi Europian u referohet gjashtë vendeve pranë kufijve të tij: Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Sipas BE-së, të gjashta këto shtete duhet të anëtarësohen pasi të përmbushin një varg reformash në sundimin e ligjit dhe në ekonomi. Megjithatë, përparimi drejt anëtarësimit ka ngecur, ndërsa pengesat mbeten të mëdha. Mes tyre janë separatizmi që vazhdon të “vlojnë” në Bosnjë-Hercegovinë dhe mosmarrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Për shumë vite, Uashingtoni e përkrahu përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE. Hillary Clinton, në atë kohë ministre e Jashtme demokrate, deklaronte se palët ishin të bashkuara në synimin që vendet e rajonit të hynin sa më shpejt në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Tashmë, nga pala amerikane po vjen një qëndrim tjetër. Donald Trump Jr. është shprehur se, ndonëse nuk është politikisht korrekte të thuhet, është shumë e qartë që Europa përbën një katastrofë.

Kthesa në këtë politikë lidhet me dy fusha: sigurinë dhe ekonominë. Për sa i përket sigurisë, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi së fundmi se periudha e ndërtimit të kombeve nën drejtimin e SHBA-së ka përfunduar.

Por si përkthehet konkretisht një deklaratë e tillë?

Rasti i Bosnjë-Hercegovinës, e njohur shkurt si Bosnja, e ilustron këtë ndryshim. Vendi, i shenjuar nga lufta e egër e viteve 1990, ka tri bashkësi kryesore etnike: boshnjakët, serbët e Bosnjës dhe kroatët e Bosnjës.

Në vitin 1995, me qëllim përfundimin e konflikteve mes tyre, nën drejtimin amerikan u ngrit një mekanizëm për ndarjen e pushtetit. Ky përshkruhet shpesh si sistemi politik më i komplikuar në botë. Sot, SHBA-ja dhe Europa nuk bien dakord për një nga postet më të fuqishme të tij, atë të Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë-Hercegovinën.

Ky funksion ka natyrë të veçantë: mbahet nga një zyrtar i huaj, zakonisht europian, i cili gëzon kompetenca të gjera për të ndërhyrë në politikën boshnjake. Misioni i tij është të pengojë rikthimin e vendit në konflikt. Megjithatë, ai nuk zgjidhet nga qytetarët e Bosnjës, por caktohet nga shtete dhe organizata të tjera.

Politikani gjerman Christian Schmidt ishte Përfaqësuesi i Lartë i fundit. Pas largimit nga detyra, ai deklaroi se SHBA-ja e kishte shtyrë drejt këtij vendimi.

Ndërsa administrata Trump synon t’ia reduktojë kompetencat Përfaqësuesit të Lartë, Bashkimi Europian vazhdon të kërkojë që një diplomat ta ketë vendimmarrjen përfundimtare në Bosnjë.

Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, e konsideron të drejtë pozicionin amerikan për këtë çështje. Sipas tij, 30 vjet pas përfundimit të armiqësive është shumë e vështirë të arsyetohet ekzistenca e një zyrtari të emëruar ndërkombëtarisht, i pajisur me nivelin e pushtetit që kanë ushtruar Përfaqësuesit e Lartë në Bosnjë-Hercegovinë.

Prej kohësh, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë është përfshirë në rivalitetin gjeopolitik në Europë. Kundër Përfaqësuesit të Lartë të fundit ishte Rusia, por edhe aleati i saj në terren, Milorad Dodik, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës.

Dodik kërcënoi se do të ndahej nga Bosnjë-Hercegovina dhe se territoret e serbëve të Bosnjës do t’i bashkonte me Serbinë fqinje. Ai deklaroi se nuk fshihet fakti që bëhet fjalë për një komb të vetëm serb, se thirrja e këtij kombi për bashkim nuk mund të shkatërrohet, se ai meriton një shtet të përbashkët dhe se kjo rrugë nuk mund të ndalet.

Në të kaluarën, Amerika dhe Europa bashkërendonin veprimet përballë kërcënimeve të tilla. Dodik u vendos madje nën sanksionet e SHBA-së dhe ishte në shënjestër të gjykatave boshnjake. Megjithatë, ai shmangu arrestimin, u afrua me MAGA-n dhe kremtoi fitoren e Trump.

Më pas Dodik uli tensionet dhe u largua nga qeveria, por vazhdon të jetë drejtuesi de facto i serbëve të Bosnjës. Në këmbim, administrata Trump e përjashtoi nga lista e personave të sanksionuar.

Shtetet e Bashkuara deklarojnë se do të bashkëpunojnë me të gjithë aktorët vendas për të rritur stabilitetin. Brenda BE-së, ndërkohë, ekziston frika se kjo qasje mund ta nxisë Dodikun të tentojë ndryshimin e kufijve.

Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, shqetësohet se aktorët ballkanikë mund të frymëzohen nga mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë. Sipas tij, nëse fuqitë perëndimore pranojnë një ndryshim territorial të imponuar me forcë në Ukrainë, në Ballkan do të ketë patjetër aktorë që do të kërkojnë të njëjtën gjë.

Prelec vlerëson se Serbia mund ta përdorë këtë argument për Kosovën dhe pjesën e saj veriore, ndërsa serbët e Bosnjës mund të kërkojnë gjithashtu shkëputjen.

Pra, në planin e sigurisë, interesat në lojë janë të shumta. Megjithatë, SHBA-ja thotë se përparësia e saj kryesore në rajon tashmë është ekonomia.

Në qendër të këtij interesi është transporti i gazit të lëngshëm natyror. Pranë një ishulli kroat është ankoruar një terminal lundrues i Gazit të Lëngshëm Natyror.

Nga ky terminal, Shtetet e Bashkuara synojnë të eksportojnë gaz drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat deri tani janë furnizuar kryesisht nga Rusia. Propozimi amerikan është ambicioz.

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, i cilëson këto terminale si “tubacionet e paqes” të Trump. Kjo nënkupton se presidenti Trump e favorizon energjinë si një formë paqeje të arritur nëpërmjet tregtisë.

Në një rajon ku kapitali i huaj është shumë i nevojshëm, krijimi i lidhjeve të reja tregtare natyrisht mirëpritet. Por Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, paralajmëron për një aspekt problematik.

Sipas tij, situata bëhet e ndërlikuar dhe mjaft e dëmshme si për rajonin, ashtu edhe për marrëdhëniet transatlantike, pasi administrata Trump në mandatin e dytë po favorizon haptazi disa kompani amerikane shumë të dyshimta, të lidhura në mënyra të ndryshme me presidentin Trump dhe familjen e tij. Prelec thotë se kjo ngjan me një formë korrupsioni.

Një nga investimet që aktualisht është bllokuar në Bosnjë lidhet me linjën e planifikuar të quajtur “Ndërlidhësi Jugor”. Projekti parashikon transportimin e gazit të lëngshëm nga terminali kroat, përmes Bosnjës, deri në Serbi.

Për vite me radhë, realizimi i tij nuk përparoi. Mirëpo, pasi u shfaq interesi i ri amerikan, procedurat nisën të ecin me një shpejtësi të pazakontë. U përgatit një ligj i posaçëm, nëpërmjet të cilit projekti iu dha pa tender një kompanie amerikane që nuk kishte përvojë të mëparshme në tregtinë e gazit.

Kjo kompani drejtohet nga ish-avokati i Trump dhe nga vëllai i ish-këshilltarit të tij. Ivana Korajlic, nga Transparency International, e përshkruan situatën si një realitet absurd, duke kujtuar se SHBA-ja dikur ishte promovuesja kryesore e vlerave demokratike në të gjithë rajonin.

Korajlic, e cila drejton veprimtarinë e “Transparency International” në Bosnjë-Hercegovinë, thotë se tashmë nuk shihet as pretendimi për respektimin e sundimit të ligjit dhe të institucioneve vendore.

Marko Prelec thekson se kjo sjellje është veçanërisht fyese për Bashkimin Europian, i cili një pjesë të madhe të identitetit të vet e mbështet te praktikat e rregullta të kontabilitetit, sundimi i ligjit, tregtia e ndershme dhe kushtet e barabarta të konkurrencës.

Prej një kohe të gjatë, BE-ja po përpiqet t’i përfshijë shtetet e Ballkanit Perëndimor në tregun e saj energjetik, pavarësisht se ato ende nuk janë anëtare të Bllokut.

Bashkimi Europian e ka paralajmëruar gjithashtu Bosnjën se mund të humbasë mbështetjen nëse nuk zbaton rregullat e përbashkëta të tregut. Edhe marrëveshjet e tjera energjetike amerikane në rajon, përkatësisht në Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi, po kalojnë nëpër një shqyrtim shtesë.

Në Serbi, kushtet e tenderit për ndërtimin e një hidrocentrali të ri përcaktonin se të drejtën për të aplikuar e kishin vetëm kompanitë amerikane. Për këtë arsye, pakënaqësia e Europës ishte e pritshme.

Megjithatë, në investimet në Ballkanin Perëndimor, Europa vazhdon të jetë shumë përpara Amerikës. Mbi gjysma e tyre vjen nga BE-ja, ndërsa kontributi i SHBA-së është më pak se 3 %.

Besueshmëria e premtimit të BE-së për anëtarësim po zbehet

Çfarë po bën, atëherë, Blloku për të frenuar ndikimin e personave që ndodhen në “orbitën” e Trump?

Ivana Korajlic vëren se, për fat të keq, reagimi i BE-së nuk ka qenë mjaftueshëm i fuqishëm dhe se përgjigjja e saj duhet të vijë shumë më shpejt.

Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, nënvizon se Bashkimi Europian, për çfarëdo arsyeje, nuk realizon projekte të mëdha ose shumë të mëdha në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, BE-ja nuk ka asnjë nismë madhore për ta paraqitur si arritje.

Në të kundërt, kur SHBA-ja njofton se do të sjellë një investim prej 2 miliardë dollarësh, lajmi merr përmasa të mëdha dhe dëgjohet nga të gjithë.

Mjeti më tërheqës që BE-ja ka për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor mbetet mundësia e anëtarësimit në Bllok në këmbim të reformave. Por ky premtim po humbet gjithnjë e më shumë besueshmërinë.

Prelec kujton se qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë dekada që dëgjojnë për integrimin europian. Që prej pranimit të Kroacisë në vitin 2013, askush tjetër nuk është anëtarësuar për 13 vjet. Për këtë arsye, sipas tij, njerëzit duhet të binden sërish se anëtarësimi do të realizohet.

BE-ja mund të ketë së shpejti një mundësi për ta dëshmuar këtë, pasi Mali i Zi po mbyll negociatat e pranimit dhe synon t’i bashkohet Bllokut në vitin 2028.

Franca dhe Gjermania po kërkojnë tashmë një mënyrë më elastike veprimi, me synimin që vendet të vazhdojnë të jenë të motivuara dhe ndikimi europian të mbetet i garantuar. Sipas kësaj ideje, shteteve kandidate do t’u ofrohej qasje e parakohshme në programet dhe tregjet e BE-së, përpara se të fitonin anëtarësimin e plotë.

Nisma të ngjashme hidhen në diskutim çdo disa vjet, por vëmendja kryesore e Brukselit vazhdon të zhvendoset te krizat më të mëdha. Këtë herë, rritja e ndikimit amerikan mund ta shtyjë BE-në të ndërmarrë një hap real në Ballkan.

Në një kuptim, shtimi i interesit dhe i investimeve mund të jetë pozitiv për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, disa zëra në rajon druhen se përplasja mes SHBA-së dhe BE-së mund të ushqejë paqëndrueshmërinë, veçanërisht nëse Uashingtoni nuk e vendos më demokracinë në plan të parë dhe përqendrohet te marrëveshjet afatshkurtra.

Tri dekada pas luftërave, ndarja mes Amerikës dhe Europës duket se rrezikon të prodhojë përçarje të tjera në Ballkanin Perëndimor./ Deutsche Welle


Shtuar 15.08.2026 08:53

matbetgrandpashabetjojobetjojobetjojobetholiganbetholiganbetJojobetjojobetgrandpashabetmeritbetcasibommatbetsultanbeyli escortiptv satın alGrandpashabetAnkara escortAnkara escortcasibommarsbahiscasibomgalabet girişHoliganbetGrandpashabetGrandpashabetJojobetholiganbetJojobet Girişholiganbetcasibom