128 orë nën rrënoja, foshnja 2 muajshe mbijeton për mrekulli, nxirret e gjallë familja me 5 anëtarë

Teksa mbi 24 mijë persona kanë mbetur të vdekur nga tërmeti shkatërrues i së hënës në Turqi, ende vijojnë të ndodhin mbrekulli që mbajnë ndezur shpresat e ekipeve të kërkim shpëtimit.

Një foshnjë e cila besohet të jetë vetëm 2 muaj u shpëtua nga rrënojat e tërmetit pas 128 orësh, sipas Anadolu Agency.

Gjithashtu një familje me 5 anëtarë është gjetur e gjallë nën rrënoja, pas 129 orësh.

Ekipet e kërkim-shpëtimit arritën fillimisht të nxirrnin nënën dhe njërën nga vajzat e familjes. Më vonë, djali i familjes Sadık Buğra, u shpëtua nga rrënojat. Aktualisht po punohet për nxjerrjen e babait dhe vajzës tjetër.

Po ashtu, një i ri 20-vjeçar i quajtur Ülkü, nisi të fliste kur u afruan ekipet e kërkim-shpëtimit dhe u gjet i gjallë në rrënojat e ndërtesës së apartamenteve Necip Fazıl Kısakürek, në lagjen Elbistan të Kahramanmaraş, 128 orë pas tërmetit.

Pas kaq orësh u shpëtua dhe 13-vjeçari Arda Can Övün, i cili mbeti i bllokuar në rrënojat e ndërtesës në lagjen Antakya të Hatay./Albeu.com/


Shtuar 11.02.2023 12:07