​Belgjika nis administrimin e dozës së katërt të vaksinës

Belgjika do të fillojë me administrimin e dozës së katërt të vaksinës kundër COVID-19 për personat me imunitet të dobët.

Ministri i Shëndetësisë i rajonit ku flitet gjuha flamande, Wouter Beke njoftoi se duke filluar nga sot u është dërguar ftesë personave me imunitet të dobët për të kryer dozën e katërt të vaksinave Pfizer-Biontech ose Moderna.

Beke kujtoi se kjo kategori e ka kryer dozën e tretë të vaksinës në shtator të vitit 2021, ndërsa në fazën e parë do t’u dërgohen ftesa 200 mijë personave, raporton atsh.

Të paktën 74 përqind e popullatës në Belgjikë ka kryer të paktën një dozë të vaksinës ndërsa 49 përqind e tyre kanë kryer dozën përforcuese.

Me rënien e rasteve në vend ditët e fundit, është vendosur të bëhet lehtësimi i masave pandemike.

Komiteti Këshillimor i Qeverisë do të mblidhet të premten për të shqyrtuar kalimin nga niveli “i kuq”, që zbatohet aktualisht për masat në vend, në nivelin “portokalli”.

Rastet mesatare ditore me COVID-19 në vend janë rreth 38 mijë.


Shtuar 9.02.2022 10:54