Nga Xhensila Kodra
Agim Çerma i arrestuar në Kolumbi si kreu i një grupi të fuqishëm që merrej me trafikun e kokainës, rezulton i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje. Vendimi është marrë nga Gjykata e Elbasanit në vitin 1998 për vrasjen e Gëzim Liçit dhe plagosjen e efektivëve të policisë.
Ngjarja ka ndodhur në 1997-ën në Elbasan, ndërsa në atë kohë, bashkë me Agimin u arrestua edhe i vëllai i tij, Gazmend Çerma, si dhe disa persona të tjerë. Gazmend Çerma u dënua me 11 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan. Vendimin e ankimoi në Apelin e Durrësit, por kërkesa iu refuzua.
Në ankimim ai ia kalonte përgjegjësinë të vëllait Agimit, duke argumentuar se nuk kishte dijeni se i vëllai kishte armë me vete dhe se do të kryente vrasjen. Të njëjtin veprim ka kryer edhe Agim Çerma duke ankimuar dënimin përjetë. Kjo kërkesë i është refuzuar nga Apeli i Durrësit dhe Gjykata e Lartë. Ndërsa Kushtetuesja ia kaloi Shkallës së Parë në Elbasan për rigjykim.
Kjo e fundit ia kaloi Gjykatës së Lezhës, pasi dënimin, Agim Çerma po e kryente në burgun e Shënkollit. Referuar të dhënave të gjeneruara nga sistemi i kësaj Gjykate, Agim Çerma, në vitin 2012 është liruar me kusht në rrethana ende të paqarta. ABC mëson se lirimi i tij mban firmën e gjyqtares Parashqevi Ademi. Në 2015-ën, Ademi është arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ndërsa ish Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 4 vite burg./abcnews.al