Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell i kërkoi sot Izraelit të mos udhëhiqet nga zemërimi në përgjigjen e tij ndaj sulmit të Hamasit, duke thënë se “një tmerr nuk e justifikon tjetrin.”
Borrell i bëri komentet gjatë një vizite në Izrael, duke folur së bashku me ministrin e Jashtëm izraelit, Eli Cohen.
“E kuptoj zemërimin tuaj, por më lejoni t’ju kërkoj që mos jeni të tërbuar. Unë besoj se kjo është gjëja më e mirë që miqtë e Izraelit mund t’ju thonë”, tha ai.
Duke folur në një ndërtesë të këshillit rajonal, Borrell theksoi se solidariteti i BE-së me Izraelin dhe mbështetja për të drejtat e vendit për vetëmbrojtje janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
“Është një gjë të mbrosh Izraelin dhe një gjë tjetër të kujdesesh për njerëzit në nevojë”, shtoi ai.
“Dhe kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian, së bashku me mbështetjen e të drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje, po kërkon gjithashtu ndihmë humanitare për ushqim, ujë, karburant, mbrojtje (të njerëzve në Gaza)”, tha zyrtari evropian, i cili gjithashtu bëri një thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte” të pengjeve./albeu.com