Bordi i Paqes, Shqipëria depoziton pranë qeverisë së SHBA-së Instrumentin e Ratifikimit

Ambasada e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se Shqipëria ka depozituar pranë Qeverisë së SHBA-së instrumentin e ratifikimit të marrëveshjes për pranimin në Kartën e Bordit të Paqes.

Me anë të një postimi në Facebook, Ambasada e Shqipërisë thekson se ky hap formalizon përfundimisht angazhimin në këtë iniciativë të rëndësishme dhe përfaqëson një tjetër moment domethënës në thellimin e rolit të Shqipërisë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Sipas njoftimit, depozitimi i instrumentit të ratifikimit pranë Qeverisë së SHBA-së përmbyll procedurat kushtetuese dhe i jep fuqi të plotë juridike angazhimit të ndërmarrë

Njoftimi i plotë:

Sot, Shqipëria depozitoi pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës origjinalin e Instrumentit të Ratifikimit të “Marrëveshjes për pranimin e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Ky hap formalizon përfundimisht angazhimin tonë në këtë iniciativë të rëndësishme dhe përfaqëson një tjetër moment domethënës në thellimin e rolit të Shqipërisë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Depozitimi i instrumentit të ratifikimit pranë Qeverisë së SHBA-së përmbyll procedurat kushtetuese dhe i jep fuqi të plotë juridike angazhimit të ndërmarrë.

Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të partneriteteve strategjike dhe ndaj kontributit aktiv në arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Krenarë për miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Shtuar 24.02.2026 22:20