Blinken-Kovaçevski: Po thellohet partneriteti midis SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Uashington u takua edhe me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Në takim, Kovaçevski dhe Blinken shkëmbyen mendime për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, si dhe për situatën në rajon.

Në takim kryeministri Kovaçevski vlerësoi se të dy vendet në vazhdimësi kultivojnë një dialog politik produktiv dhe se Maqedonia e Veriut mbetet partner strategjik i qëndrueshëm dhe aleat i dëshmuar i Shteteve të Bashkuara.

Dy vendet ndajnë lidhje të thella, të bazuara në respektin e ndërsjellë për vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut, dhe marrëdhënie të tilla do të vazhdojnë të zhvillohen me dinamikë edhe më të fortë.

Sekretari amerikan, Blinken në takim theksoi se SHBA-ja e vlerëson lart kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në kontekstin rajonal, por mbi të gjitha si aleate e fortë e NATO-s.

Blinken theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në hapat e saj të ardhshëm, duke vlerësuar lart vendimet e guximshme dhe të mençura të marra nga qeveria për të siguruar një të ardhme të begatë brenda BE-së dhe NATO-s./alsat.mk/


Shtuar 9.05.2023 11:07