Një gjykatë në Bjellorusi dënoi të martën ish pretendentin presidencial Viktor Babariko me 14 vjet heqje lirie, nën akuzat për korrupsion.
Ekipi i zotit Babariko tha para vendimit se akuzat kundër klientit të tyre ishin sajuar për të penguar ambiciet e tij politike.
Viktor Babariko, ish-shefi i Belgazprombank, u arrestua qershorin e kaluar ndërsa po përpiqej të regjistrohej si kandidat kundër udhëheqësit veteran, Alexander Lukashenko për zgjedhjet presidenciale, të cilat sipas kritikëve dhe vëzhguesve, ishin manipuluar pasivisht.
Prokurorët kërkuan që Babariko, i cili ngulë këmbë në pafajësinë e tij, të dënohet me 15 vjet burg. Pasi që zoti Babariko u ndalua të kandidojë dhe u arrestua, Maria Kolesnikova, një nga aleatet e tij, bashkoi forcat me dy gra të tjera – Sviatlana Tsikhanouskaya dhe Veronika Tsepkalo, për të udhëhequr fushatën e opozitës.
Zonja Kolesnikova tani është e burgosur në Bjellorusi, Tsepkalo ka ikur jashtë vendit, dhe Tsikhanouskaya, që garoi kundër Lukashenkos. që atëherë është shfaqur si personaliteti më i shquar e opozitës në liri, po përpiqet të luftojë Lukashenkon nga Lituania fqinje.
“Është një dënim i çmendur për një njeri që vendosi të hyjë në politikë dhe u bë një nga udhëheqësit që e zgjuan vendin nga një gjumë i gjatë”, tha Sviatlana Tsikhanouskaya. “… Regjimi po bën gjithçka për të shuar çdo mendim që madje nga larg i ngjan besimit dhe shpresës. Por për Viktorin – si për mijëra njerëz të pafajshëm në burg – ajo që ka më shumë rëndësi është shpresa në zemrat tona”, tha ajo.