Bizneset fituan 25 miliardë lekë nga shitja e energjisë, KESH humbi 27 miliardë lekë

Rritja e fortë e çmimeve të energjisë në vitin 2022 favorizoi si prodhuesit, ashtu dhe tregtuesit privatë të energjisë. Në të kundërt, sipërmarrjet shtetërore që u detyruan të blejnë energjinë në treg të lirë kishin një vit të vështirë, me humbje të mëdha për prodhuesin publik të energjisë. Në vitin 2022, KESH raportoi një humbje prej 27 miliardë lekësh, ndërsa treguesit kryesorë të energjisë gjeneruan fitime 11.5 miliardë lekë. Prodhuesit kryesorë të energjisë që hyjnë në listën e “Monitor 200” kishin fitime prej 14 miliardë lekësh. Sektori i energjisë shfaqi dy kontraste në vitin 2022, teksa u shënua kulmi i krizës së energjisë, me çmimet në bursa që prekën vlera të papara ndonjëherë, duke kapur në fund të gushtit vlerën 1047 euro/MWh apo 130 lekë/kWh.

Çmimi mesatar i blerjes së energjisë në tregun e lirë gjatë 2022 arriti 305 euro/MWh, sipas Entit Rregullator të Energjisë, gati 3.5 herë më i lartë sesa mesatarja e zakonshme që vendi e importonte energjinë në periudhën para fillimit të krizës.

Thatësira e tejzgjatur në gjysmën e dytë të vitit rriti ndjeshëm varësinë nga importet. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2022, pesha e importeve në raport me energjinë në dispozicion arriti në 38.4%, nga 26.8% që ishte në vitin 2021.

Sasia e energjisë e importuar në vitin 2022 ishte 1,467,734 MWh, me çmim mesatar importi 305.48 Euro/MWh, sipas burimeve zyrtare nga KESH. Në total, për sigurimin e kësaj energjie, u shpenzuan gati 450 milionë euro.

Nga kjo situatë, më të humbur dolën operatorët shtetërorë të energjisë, sidomos KESH, që është përgjegjës për blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve, ndërsa më të fituarit ishin prodhuesit e energjisë, që shitën me çmime të larta dhe tregtuesit, që veprojnë si ndërmjetës mes KESH dhe tregut të lirë për blerjen e importeve.

KESH, me humbje rreth 27 miliardë lekë

Në janar të vitit 2022, prodhuesi publik i energjisë, Korporata Elektroenergjetike Shtetërore (KESH), u ngarkua me detyrimin për të mundësuar të gjithë energjinë e nevojshme për klientët universalë, rol që më parë e kishte pasur Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Deri në fund të vitit 2021, Shoqëria KESH luante në sistemin elektroenergjetik shqiptar vetëm rolin e prodhuesit të energjisë, prodhim të cilin ia ofronte shoqërisë publike FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e OSHHE Group), për aq sa KESH mund të prodhonte dhe kësaj të fundit i nevojitej, duke mos u ekspozuar nga rritja e çmimeve të energjisë në bursa.

Në vitin 2022, sfida më e madhe me të cilën u përball KESH ishin çmimet e larta të energjisë elektrike në tregun rajonal dhe më gjerë, dhe nevoja për sigurimin e energjisë elektrike në kuadër të detyrimit për shërbim publik në kushtet e optimizimit energjetik (gjenerim/import) dhe mbajtja në nivelet aktuale të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Shtrenjtimi i energjisë në vitin 2022 dha një efekt të rëndë në financat e KESH, që e mbylli vitin me një humbje prej 26.7 miliardë lekësh, nga fitimet e 3.5 miliardë lekëve në vitin e mëparshëm.

Ndonëse të ardhurat u katërfishuan në 36 miliardë lekë, nuk ishin të mjaftueshme për të mbuluar kostot e larta të blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve.

“Viti 2022 cilësohet si një vit specifik dhe i vështirë, ku aktiviteti operacional i Korporatës u përball me sfida të vështira, për shkak të rritjes globale të çmimeve të energjisë dhe gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji. Vetë detyrimi i ngarkuar për shoqërinë përbënte një sfidë, e cila shoqërohej me të gjithë ndikimet si natyrore, edhe të aktorëve jashtë vendit.

Viti 2022 ishte i vështirë në aspektin hidrik, i cili i shoqëruar me situatën atipike të tregjeve të energjisë, për shkak të faktorëve gjeopolitikë në Europë, solli për KESH sh.a. rrezikun e ekspozimit të menjëhershëm në kosto të shtuara dhe të paparashikueshme.

Sfidat e vitit 2022 ishin të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe kryesisht u përmblodhën në atë të sigurimit të energjisë elektrike me kosto optimale, për të realizuar furnizimin me energji brenda vendit, pa ndikuar në prekjen e çmimit fundor për konsumatorët”, pohon Administratori i KESH, Ergys Verdho.

Viti 2023 ka qenë më pozitiv. Z. Verdho thotë se për shkak të prurjeve hidrike të fund të vitit 2022 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, është në një situatë me ekspozim të ulur ndaj krizës energjetike.

OSHEE Group u kthehet fitimeve

Në vitin 2020, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi 3 shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), Furnizuesin e Tregut të Lirë (FTL) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), nën ombrellën e “OSHEE Group Sh.A.”

Ndryshe nga viti 2021, kur OSHEE Group Sh.A rezultoi me humbje të lartë prej 15.6 miliardë lekësh, e ndikuar nga rritja e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë në 6-mujorin e dytë të vitit 2021, në 2022 grupi ishte i “mbrojtur”, pasi blerja e energjisë në tregun e lirë i kaloi KESH.

Në 2022, OSHEE Group, sipas të dhënave të konsoliduara, të raportuara nga vetë kompania, raportoi një fitim para taksave prej 5.2 miliardë lekësh.

Sipas të dhënave zyrtare të “OSHEE Group”, qarkullimi vjetor i të tria kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive brenda grupit ishte 73.3 miliardë lekë në vitin 2022, me rritje 14% në raport me vitin e mëparshëm.

Ecuria ka qenë pozitive dhe në vitin 2023.

“Të dhënat e deritanishme flasin për një performancë pozitive, të paktën në treguesit bazë, siç janë niveli i arkëtimeve dhe reduktimi i humbjeve. Humbjet kanë vijuar trendin e rënies, duke zbritur në 19%, falë mirorganizimit të grupeve në terren, luftës pa kompromis kundër abuzuesve të energjisë elektrike, duke sjellë, nga ana tjetër, rritje të faturimit.

Vlen të theksohet se humbjet në muajin qershor ishin 16%, ndërsa pritshmëria e mbylljes së vitit është për një nivel humbjesh 19%. Më pak humbje për shoqërinë përkthehen në më tepër të ardhura, të cilat janë rritur me 15.3%”, pohon Enea Karakaçi, Administrator i “OSHEE Group”.

OST, me fitime të qëndrueshme

Operatori shtetëror OST sh.a. menaxhon sistemin elektroenergjetik në kohë reale, duke ruajtur një balancë midis kërkesës për konsum dhe prodhimit të energjisë elektrike, në mënyrë që të sigurojë furnizim të besueshëm me energji elektrike, nëpërmjet praktikave bashkëkohore të operimit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike.

Të ardhurat e kompanisë ishin 10.8 miliardë lekë në vitin 2022, me rritje vjetore 21.8%. Kompania raportoi fitime prej 827 milionë lekësh para taksave, me rënie 10.2% me bazë vjetore.

Administratori i OST, Skerdi Drenova, pohon se “viti 2022, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, ka qenë plot me sfida, mundësi dhe rezultate pozitive. OST ka vijuar angazhimin me përkushtim, për të siguruar një shërbim cilësor dhe të qëndrueshëm për konsumatorët, duke mbajtur një nivel të lartë të sigurisë dhe integritetit të rrjetit, duke kontribuar në zhvillimin e tregut rajonal të energjisë, si dhe duke vijuar me zbatimin e projekteve strategjike”.

A mund ta blejë KESH vetë energjinë në treg të lirë, duke shmangur ndërmjetësit?!

Ergys Verdho, Administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, pohon se modelet e tregjeve të energjisë bazohen në tregtimin e lirë të produktit energjetik dhe Republika e Shqipërisë, në kuadër të procesit të integrimit në BE, aplikon një model tregu, të bazuar në veprimtarinë e tregtimit të energjisë.

Ekzistenca e tregtarëve në tregun e energjisë elektrike është e pashmangshme, për shkak të modelit.

A mund ta bëjë vetë KESH blerjen e energjisë në bursa, duke reduktuar në këtë mënyrë humbjen, ndërkohë që hallka e ndërmjetësve po rezulton me fitime të larta?!

  1. Verdho shpjegon se është e pamundur që KESH ta bëjë vetë blerjen e energjisë. “Një model tregu i përqendruar me ligj është i pazbatueshëm, pasi bie ndesh edhe me rregullimet ligjore ndaj subjekteve të cilët janë në të njëjtën kohë edhe prodhues, edhe tregtarë.

Sipas ligjit ‘Për Sektorin e Energjisë’, zbatohen parashikimet për të drejtën e vendosjes së detyrimit për shërbim publik, sipas kritereve dhe kushteve ligjore.

Energjia elektrike është një produkt, mall, me karakteristikën e veçantë që është i pamagazinueshëm si mallrat e tjerë, ndaj qarkullimi i energjisë kryesisht nga importi, kërkon përfshirjen e palëve që realizojnë menaxhimin e portofolave energjetikë me flukse të ndryshme”.

Aktorët e tregut pohojnë se në kushtet aktuale, KESH e ka të pamundur të manovrojë në bursat europiane dhe të blejë energji ndërsa tregtuesit e energjisë kanë kapitalin e nevojshëm, aftësinë paguese dhe koniunkturën për të realizuar këtë proces, pasi kanë filiale dhe jashtë Shqipërisë.

Ata shpjegojnë se blerja e energjisë nga KESH mund të realizohej, nëse do të kishte një treg ideal, që nënkupton që të gjitha bursat e energjisë së rajonit të ishin tërësisht funksionale. Për momentin, në rajon, Sllovenia është e vetmja që e blen energjinë direkt, të gjithë operatorët e shteteve të tjera përdorin ndërmjetësit.

Modeli i tregut të energjisë

Shqipëria nisi nga viti 2015 të aplikonte një model të ri tregu që bazohej te ligji “Për sektorin e energjisë elektrike” i miratuar po atë vit. Ky model parashihte disa hallka të reja që vinin si efekt i ndarjes së OSHEE, krijimit të Bursës së Energjisë apo përcaktimit të qartë të roleve të prodhuesve, furnizuesve apo tregtarëve.

Sidomos këta të fundit janë bërë jo pak herë pjesë e debatit, sa herë flitej për blerjet e OSHEE nga KESH para emergjencës e më pas për blerjet e energjisë nga tregu i parregulluar nga ana e KESH.

Pyetja që shtrohet vazhdimisht për këtë hallkë që qarkullon qindra milionë euro është: Pse nuk shmangen? Si pjesë e Komunitetit të Energjisë dhe zbatimit të direktivave për integrimin në tregun europian, shmangia e kësaj hallke, edhe pse me llogari të thjeshtë teorikisht mund të jetë me fitim për kompanitë publike, në praktikë nuk lejohet.

Pra KESH nuk mund të dalë të blejë vetë energji në Bursë apo në tregun vendas me logjikën se do të “kursente” tarifat që paguan te tregtarët, pasi ligji i 2015-s dhe rregullat e tregut që u miratuan në 2016 nuk e lejojnë këtë.

Te këto rregulla, tregtarët nuk mund të shmangen.

Ata cilësohen si “njësi komerciale që tregtojnë energji elektrike:

  1. i) do të blejnë dhe shesin energji elektrike me shumicë;
  2. ii) do të tregtojnë energji elektrike nga importi ose për eksportin, ose prodhuesit, ose nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik;

iii) do të shesin energji elektrike për eksport”. /Monitor/


Shtuar 25.11.2023 07:36